Shkëlqimi i lirisë dhe pesha e kujtesës: 17 Shkurti

Shkëlqimi i lirisë dhe pesha e kujtesës: 17 Shkurti

Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti

Dita e Pavarësisë së Kosovës është epifania e një populli që refuzoi të zhdukej nga historia. Filozofikisht, liria nuk është një dhuratë që pranohet, por një substancë që mbrohet me gjak, dhimbje dhe një vullnet të palëkundur për të ekzistuar. Ajo është kalimi nga “objekti” i historisë së tjetrit, në “subjektin” e fatit të vetes.

UÇK-ja: Metafizika e Sakrificës

Në zemër të kësaj lirie qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo nuk ishte vetëm një formacion ushtarak, por një lëvizje shpirtërore që përmbysi logjikën e nënshtrimit. Djemtë dhe vashat që rrokën armët, bënë një pakt metafizik me tokën: ata sakrifikuan të tashmen e tyre individuale për të ndërtuar të ardhmen kolektive të një kombi.

Sakrifica e tyre nuk ishte vetëm humbje jete, por shndërrim në dritë. Çdo dëshmor është një gur themeli në ndertimin e shtetit. Ata na mësuan se liria është më e shtrenjtë se vetë jeta, sepse jeta pa liri është thjesht një ekzistencë biologjike, ndërsa liria është fryma që i jep kuptim qenies.

Drejtësia në paradoks: Apel për krerët në Hagë

Sot, ndërsa festojmë në sheshet tona, një hije e rëndë bie mbi ndërgjegjen tonë universale. Krerët e UÇK-së, arkitektët e lirisë , gjenden në Hagë. Është një paradoks i dhimbshëm që ata që ndaluan një gjenocid dhe i dhanë fund një epoke errësire, sot duhet të mbrojnë pastërtinë e luftës së tyre çlirimtare. Liria nuk mund të gjykohet. Çlirimtari nuk mund të barazohet me agresorin.

Nga ky përvjetor i pavarësisë, lëshojmë thirrjen për një drejtësi që nuk mjegullohet nga politika: Liri për krerët e UÇK-së! Kthimi i tyre nuk është vetëm një nevojë njerëzore, por një akt rivendosjeje të dinjitetit të luftës së shenjtë.

Tetova dhe rezistenca e dijes

Liria e Kosovës nuk mund të kuptohet pa sakrificën mbarëkombëtare. Në këtë rrugëtim, Universiteti i Tetovës qëndron si kështjella e pathyeshme e mendjes. Përvjetori i ligjëratave të para na kujton se liria fillon aty ku mbrohet gjuha, feja dhe dija.

Në ato ditë të ftohta, kur studentët dhe profesorët përballeshin me dhunën policore për të dëgjuar një ligjëratë në shqip, po mbillej fara e lirisë që do të lulëzonte në keto troje. Sakrifica e Tetovës na tregon se lapsi dhe pushka ishin dy anët e së njëjtës medalje – asaj të mbijetesës kombëtare.

Sot, Kosova është e lirë, por liria është një proces i vazhdueshëm. Ajo kërkon vigjilencë, nderim për të kaluarën dhe guxim për të ndërtuar një shtet ku drejtësia triumfon mbi harresën.
“Liria nuk ka kuptim nëse nuk mban emrin e atyre që u flijuan për të.”

MARKETING