Britania e Madhe do t’i ofrojë Ukrainës 681 milionë dollarë mbështetje në mbrojtje

Britania e Madhe do t’i ofrojë Ukrainës 681 milionë dollarë mbështetje në mbrojtje

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar një paketë prej 500 milionë paundësh (681 milionë dollarë) me raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave të banuara, transmeton Anadolu.

Financimi përfshin 150 milionë paundë për Listën e Kërkesave Prioritare të Ukrainës të NATO-s (PURL), një nismë që koordinon dërgimin e shpejtë të interceptorëve të mbrojtjes ajrore.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se kjo masë do të “ndihmojë ukrainasit të mbrohen nga sulmet e pandërprera me dronë dhe raketa të Putinit”.

Në kuadër të paketës, Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë edhe 1 mijë raketa të lehta multifunksionale (Lightweight Multirole Missiles-LMM), si dhe 1.200 raketa të mbrojtjes ajrore dhe 200 mijë predha artilerie përmes Konsorciumit të Mbrojtjes Ajrore (ADC).

“Teksa i afrohemi vitit të pestë të pushtimit në shkallë të plotë nga Putini, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë janë më të përkushtuar se kurrë për të mbështetur Ukrainën”, tha Healey.

Pesë vende u zotuan të kontribuojnë në blerjen e armëve amerikane në kuadër të Listës së Kërkesave Prioritare të Ukrainës gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG) në Bruksel.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, falënderoi Mbretërinë e Bashkuar, Islandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Lituaninë për kontributet e tyre.

MARKETING