Kurti mbron katërshen e UÇK-së: Dënimet prej 45 vitesh injorojnë kontekstin e luftës

Kurti mbron katërshen e UÇK-së: Dënimet prej 45 vitesh injorojnë kontekstin e luftës

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim prej nga 45 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Pas kësaj kërkese, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka cilësuar atë të pabazuar dhe të shkëputur nga realiteti historik i luftës në Kosovë.

Në një reagim në Facebook, Kurti theksoi se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të UÇK-së qëndron në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.

“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër, kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror,” shkroi Kurti.

Ai shtoi se çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik rrezikon të deformojë të vërtetën e asaj periudhe.

Sipas tij, kërkesa e Prokurorisë për dënime kaq të larta “nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit” dhe “injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë”.

“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosjeje ndaj asnjë populli tjetër apo civilëve. Prokuroria po përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare,” theksoi Kurti.

Ai deklaroi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e së vërtetës historike dhe faktike për luftën, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë,” përfundoi ai.

 

MARKETING