BE-ja synon të godasë sektorët kyç rusë me sanksione të reja
“Në Komision po paraqesim një paketë të re sanksionesh, të 20-tën që nga fillimi i luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Paketa e re mbulon energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë”, deklaroi von der Leyen në një njoftim me shkrim.
Presidentja e KE-së tha se masat përfshijnë “një ndalim të plotë të shërbimeve detare” për naftën bruto ruse, me synimin për të ulur më tej të ardhurat energjetike të Moskës.
“Po përfshijmë edhe 43 anije të tjera si pjesë e flotës hije, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 640. Gjithashtu, po e vështirësojmë blerjen e cisternave që përdoren për flotën hije dhe po vendosim ndalime të gjera për ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera për cisternat e LNG-së dhe akullthyese, për të dëmtuar më tej projektet e eksportit të gazit,” tha ajo.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu një grup të dytë masash që synojnë kufizimin e sistemit bankar rus dhe aftësisë së tij për të krijuar kanale alternative pagesash, përfshirë përfshirjen në listë të 20 bankave rajonale shtesë.
“Do të ndërmarrim masa edhe ndaj kriptomonedhave, kompanive që tregtojnë me to dhe platformave që mundësojnë tregtinë me kripto, për të mbyllur një rrugë shmangieje. Po ashtu, po synojmë disa banka në vende të treta që janë të përfshira në lehtësimin e tregtisë së paligjshme të mallrave të sanksionuara”, shtoi ajo.
Ajo tha se blloku po shtrëngon gjithashtu kufizimet e eksportit drejt Rusisë me ndalime të reja për mallra dhe shërbime, përfshirë gomën, traktorët dhe shërbimet e sigurisë kibernetike.
Përveç kësaj, Komisioni do të vendosë ndalime të reja importi për metale, kimikate dhe minerale kritike që ende nuk janë përfshirë në sanksione, theksoi Von der Leyen.
“Po vendosim kufizime të mëtejshme eksporti për artikuj dhe teknologji që përdoren për përpjekjet ushtarake të Rusisë, si materiale për prodhimin e eksplozivëve. Propozojmë gjithashtu një kuotë për amoniakun, për të kufizuar importet ekzistuese”, tha më tej von der Leyen.
Ajo nënvizoi se BE-ja do të aktivizojë, për herë të parë, edhe mjetin kundër shmangies së sanksioneve, duke ndaluar eksportin e makinerive me komandë numerike kompjuterike (CNC) dhe radiove drejt juridiksioneve “ku ekziston rrezik i lartë që këto produkte të rieksportohen në Rusi”.
“Në fund, propozojmë masa më të forta ligjore për kompanitë e BE-së, për t’i mbrojtur ato nga shkeljet e të drejtave të pronësisë intelektuale ose nga shpronësimi i padrejtë në Rusi, si pasojë e vendimeve abuzive gjyqësore në lidhje me sanksionet”, shtoi Shefja e KE-së.
Von der Leyen u bëri thirrje shteteve anëtare që ta miratojnë “me shpejtësi” paketën e re të sanksioneve, për të “dërguar një sinjal të fuqishëm përpara përvjetorit të katërt të zymtë të kësaj lufte”.

