Fishkëllima ndaj delegacioneve të ShBA-së dhe Izraelit në ceremoninë hapëse të lojrave olimpike

Fishkëllima ndaj delegacioneve të ShBA-së dhe Izraelit në ceremoninë hapëse të lojrave olimpike

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, e mbajtur të premten, u shoqërua me fishkëllima të dëgjueshme nga publiku, teksa delegacionet e ShBA-së dhe Izraelit hynë në stadiumin San Siro.

Delegacionin amerikan e kryesuan zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Sapo Vance u shfaq në ekranin e madh të stadiumit, duke valëvitur flamurin amerikan, publiku reagoi me fishkëllima, sipas transmetimit të drejtpërdrejtë të ngjarjes.

“Ja ku është zëvendëspresidenti JD Vance dhe bashkëshortja e tij Usha. Ups, këto janë shumë fishkëllima për të”, u dëgjua të thoshte një komentator gjatë transmetimit.

Reagimi erdhi pas disa ditësh tensionesh lidhur me pjesëmarrjen e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në sigurinë e Lojërave Olimpike.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare konfirmoi praninë e personelit të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare në Milano, gjë që nxiti protesta të gjera dhe kundërshtime nga ligjvënës dhe qytetarë italianë.

“Ata nuk janë të mirëpritur në Milano”, tha kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, në një intervistë radiofonike, duke e quajtur ICE-in një “milici që vret”.

Mijëra persona u mblodhën fundjavën e kaluar në Piazza 25 Aprile për të protestuar kundër pranisë së agjentëve dhe për të ngritur shqetësime mbi shkeljet e të drejtave civile.

Presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, reagoi ndaj shqetësimeve përpara ceremonisë, duke thënë: “Shpresoj që ceremonia hapëse të shihet nga të gjithë si një mundësi për të treguar respekt ndaj njëri-tjetrit”.

Delegacioni izraelit, i cili përfshinte nëntë olimpistë dhe një paraolimpist, u përball gjithashtu me “disa fishkëllima” gjatë hyrjes në stadium, ndonëse zhurma u mbulua kryesisht nga muzika.

Protesta të tjera u raportuan edhe në Cortina d’Ampezzo dhe Predazzo, ku u mbajtën parada të njëkohshme.

Siguria mbetet një shqetësim kryesor për disa delegacione, me vëmendje të shtuar ndaj ndjeshmërive politike gjatë gjithë Lojërave.

Sipas zyrtarëve palestinezë, më shumë se 800 sportistë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor 2023, ndërsa komuniteti sportiv vazhdon të vuajë nën bombardime, uri dhe kolaps të infrastrukturës.

MARKETING