UNICEF: Të paktën 20 fëmijë sudanezë u vranë në janar
Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka bërë të ditur se të paktën 20 fëmijë sudanezë u vranë në janar, shumica e tyre në rajonet Kordofan dhe Darfur në Sudanin perëndimor, transmeton Anadolu.
Vdekjet u përmendën në një raport të publikuar nga agjencia e fëmijëve e OKB-së që trajton situatën e fëmijëve në të gjithë rajonin, përfshirë Sudanin.
“Në Sudan, në janar të vitit 2026, të paktën 20 fëmijë u vranë, shumica e tyre të vrarë në shtetet Kordofan dhe Darfur”, tha UNICEF.
Agjencia e OKB-së paralajmëroi se “miliona fëmijë në Sudan kërkojnë ndihmë shpëtimtare, mbrojtje dhe rivendosjen e shërbimeve thelbësore”, derisa luftimet vazhdojnë të shkatërrojnë pjesë të mëdha të vendit.
UNICEF tha se uria është konfirmuar tashmë në Al Fasher në Darfurin e Veriut dhe në Kadugli në Kordofan, me gati 20 zona të tjera në rrezik.
Nga 18 shtetet e Sudanit, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kontrollojnë të pesë shtetet në rajonin perëndimor të Darfurit, përveç pjesëve të Darfurit të Veriut që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ushtria sudaneze mban nën kontroll shumicën e zonave të 13 shteteve të mbetura në jug, veri, lindje dhe qendër të vendit, përfshirë kryeqytetin Khartum.
Konflikti midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së shpërtheu në prill të vitit 2023 dhe ka vrarë mijëra njerëz, ndërsa ka zhvendosur miliona të tjerë.

