OKB-ja i kujton Izraelit detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar pas spërkatjes me “herbicid” në tokat bujqësore libaneze
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) se është në dijeni të raportimeve se Izraeli ka spërkatur një herbicid mbi zona pranë Vijës Blu në Libanin jugor, duke ngritur shqetësime për ndikime të mundshme afatgjata, raporton Anadolu.
“Jemi në dijeni të raportimeve se substanca e hedhur mbi zona pranë Vijës Blu më 1 shkurt është herbicid”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në përgjigje të pyetjeve lidhur me Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).
Dujarric tha se “përdorimi i herbicideve ngre pikëpyetje për efektet mbi tokat bujqësore lokale dhe se si kjo mund të ndikojë, në afat të gjatë, në kthimin e civilëve në shtëpitë dhe mjetet e tyre të jetesës”.
“U kujtojmë palëve detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe kornizave të tjera të mundshme ligjore”, shtoi ai.
Ai theksoi gjithashtu se “çdo aktivitet i IDF-së (forcave izraelite) në veri të Vijës Blu përbën shkelje të Rezolutës 1701”.
“UNIFIL-i do të vazhdojë të jetë në kontakt me autoritetet libaneze për këtë çështje”, tha ai.
Të hënën, UNIFIL-i njoftoi se ushtria izraelite e kishte informuar se do të kryente aktivitet ajror për të hedhur atë që Izraeli e përshkroi si një “substancë kimike jotoksike” mbi zona pranë Vijës Blu.
UNIFIL-i e quajti aktivitetin izraelit “të papranueshëm” dhe tha se ai paraqiste rreziqe për shëndetin e personelit të tij dhe të civilëve, duke ngritur njëkohësisht shqetësime për efektet e mundshme mbi mjedisin.
Në dhjetor të vitit 2025, Ministria e Bujqësisë e Libanit ia përcolli Ministrisë së Punëve të Jashtme një raport të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) mbi dëmet bujqësore të shkaktuara nga sulmet izraelite gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Raporti vlerësoi dëmet direkte në sektorin bujqësor të Libanit në rreth 118 milionë dollarë, ndërsa humbjet më të gjera ekonomike kalonin mbi 586 milionë dollarë, duke identifikuar Libanin jugor dhe Luginën Bekaa si zonat më të prekura.
Një armëpushim i vitit 2024 mes Libanit dhe Izraelit i dha fund më shumë se një viti sulmesh që lanë mbi 4.000 të vrarë dhe 17.000 të plagosur, në sfondin e luftës së Izraelit në Gaza.
Sipas armëpushimit, ushtria izraelite duhej të tërhiqej nga Libani jugor në janar të vitit 2025, por ajo u tërhoq vetëm pjesërisht dhe vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë poste kufitare.

