Sulmet ajrore izraelite godasin disa zona në Liban mes shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit
Aeroplanë luftarakë izraelitë kanw kryer sulme ajrore në disa zona në jug dhe lindje të Libanit, në shkeljen më të fundit të marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga nëntori i vitit 2024, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore e lajmeve NNA tha se një sulm ajror izraelit goditi zonën al-Wazaniyeh në rajonin Jabal al-Reihan në Libanin jugor.
Mediat libaneze gjithashtu raportuan për një sulm ajror izraelit në zonat malore përreth qytetit Hermel, në rajonin Bekaa të Libanit lindor.
Mediat lokale publikuan pamje që tregojnë re tymi që ngrihen nga zonat e goditura, ndërsa raportimet thanë se avionët izraelitë vazhduan të fluturojnë në lartësi të ulët mbi disa pjesë të vendit pas sulmeve.
Ushtria izraelite pretendoi se sulmet kishin në shënjestër objektiva të Hezbollahut në disa zona të Libanit.
Deri më tani nuk ka informacione mbi viktima apo dëme materiale.
Shkeljet izraelite të armëpushimit kanë vrarë dhe plagosur qindra libanezë, ndërsa Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuara pesë kodra libaneze të pushtuara gjatë luftës së fundit, përveç zonave të tjera libaneze që i ka mbajtur për dekada.
Izraeli nisi operacionet ushtarake kundër Libanit në tetor të vitit 2023 dhe i përshkallëzoi ato në një luftë të plotë në shtator të vitit 2024, duke vrarë më shumë se 4 mijë persona dhe duke plagosur rreth 17 mijë të tjerë.
Zyrtarët libanezë në mënyrë të përsëritur kanë bërë thirrje për ushtrimin e presionit ndaj Tel Avivit që të ndalojë sulmet dhe të respektojë kushtet e armëpushimit, ndërsa Hezbollahu ka konfirmuar përkushtimin e tij ndaj armëpushimit duke kërkuar tërheqjen nga zonat e pushtuara nga Izraeli gjatë luftës së fundit.

