Dy ish-emisarë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi të përfshirë në ‘skandale ndërkombëtare’

Dy ish-emisarë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi të përfshirë në ‘skandale ndërkombëtare’

Dy ish-emisarë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, janë përfshirë në dy skandale të ndara, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Federica Mogherini, ish- Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë (2014–2019), u arrestua në dhjetor të vitit 2025 gjatë një bastisjeje policore si pjesë e një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi, e cila lidhet me trajnimin e diplomatëve evropianë.

Mogherini, aktualisht drejtuese e kolegjit pasuniversitar “College of Europe”, u arrestua në Bruksel bashkë me zëvendësshefin e shkollës së trajnimit dhe Stefano Sanninon, ish-sekretar të përgjithshëm të Shërbimit Diplomatik të Bashkimit Evropian (EEAS) nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Bastisja përfshiu jo vetëm ambientet e kolegjit, por edhe zyrat e shërbimit diplomatik të EEAS-it, duke nxitur spekulime për përfshirjen e zyrtarëve të lartë evropianë në një skemë financiare të dyshuar që lidhej me fondet për trajnime diplomatike.

Gjatë mandatit të saj si Përfaqësuese e Lartë, Mogherini kishte ndërmjetësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, një proces ky i vlerësuar si kyç për stabilitetin rajonal dhe avancimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Emërimi i saj në këtë post e vendosi atë në qendër të politikës ndërkombëtare, ndërsa arrestimi i mëvonshëm hedh një hijë mbi reputacionin e figurave të larta të diplomacisë evropiane.

Ndërkaq, ish-emisari tjetër i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përfundoi mandatin e tij katërvjeçar si dërguar i posaçëm për dialogun në fund të gushtit të vitit 2025.

Pas përfundimit të detyrës, ai u emërua këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit të Sllovakisë, por u detyrua të japë dorëheqje pas publikimit të dokumenteve nga SHBA-të që zbardhnin shkëmbime mesazhesh të tij rreth vajzave dhe diplomacisë me Jeffrey Epstein, person i njohur për aktivitetet e tij kriminale dhe skandalet ndërkombëtare.

Lajçak ka pranuar publikisht se mesazhet tregojnë gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm, duke i përshkruar ato si “ego mashkullore budallaqe”.

Ai ka shtuar se nuk i konsideron ato si akt kriminal, por si mungesë të vlerësimit etik dhe profesional. Lajçak ka shpjeguar se në vitin 2017 mbërriti në Nju Jork për një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe u prezantua me Epstein nga një diplomat i huaj, duke theksuar se takimi ishte pjesë e krijimit të kontakteve diplomatike, një element i zakonshëm në karrierën e tij.

Lidhur me përfshirjen e Lajçakut në skandalin Epstein, Bashkimi Evropian ka reaguar duke theksuar se kjo nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ndërmjetësoi për pesë vjet.

Zyrtarët evropianë insistonin se lidhjet e Lajçakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.

MARKETING