Zelensky përshkruan pjesën ‘më të rëndësishme’ të marrëveshjes së mundshme të paqes me Rusinë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se garancitë e sigurisë janë elementi më i rëndësishëm i çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.
Duke folur në një konferencë për media në Kiev, bashkë me shefin e NATO-s, ai deklaroi se Ukraina duhet të ketë një ushtri të fortë dhe funksionale, duke përmendur shifrën rreth 800 mijë trupa si të nevojshme për mbrojtjen e vendit.
Zelensky përmendi gjithashtu procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Por sipas tij, çështja kyçe mbetet se si do të reagojnë vendet europiane dhe Shtetet e Bashkuara në rast të një sulmi të ri rus ndaj Ukrainës.
“Gjëja më e rëndësishme është se çfarë do të jenë të gatshëm të bëjnë evropianët nëse Rusia na sulmon përsëri dhe çfarë do të jenë të gatshëm të bëjnë amerikanët në të njëjtin rast. Mendoj se kjo është përgjigjja më e rëndësishme. Cilat janë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe çfarë nënkuptojnë ato”, ka thënë Zelensky.
Ai nënvizoi se këto garanci kanë qenë një nga pengesat kryesore në negociatat e mëparshme të paqes.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, rikonfirmoi mbështetjen e aleancës për Ukrainën, duke theksuar rolin e iniciativës PURL në furnizimin me armë dhe sisteme mbrojtëse.
Rutte deklaroi se NATO do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën si me fjalë, ashtu edhe me veprime.
“Është një frymëzim të qëndroj pranë jush për të afirmuar mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën… NATO qëndron pranë jush, me fjalë dhe me vepra”, ka thënë Rutte.

