Clintonët pajtohen të dëshmojnë për Epsteinin

Clintonët pajtohen të dëshmojnë për Epsteinin

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit, kanë pranuar të dëshmojnë në një hetim të Kongresit mbi financieri e ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein, i akuzuar për abuzim seksual të vajzave të mitura.

Vendimi i tyre vjen para një votimi nëse çifti do të akuzohet për refuzimin e paraqitjes para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, pas një ngërçi disamujor.
Billi njihej me Epsteinin, i cili vdiq në burg më 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të abuzimit seksual të tij dhe thotë se i ka ndërprerë kontaktet me të para dy dekadash.

Është e paqartë kur do të jepet dëshmia, por do të jetë e para herë që një ish-president del para një paneli hetues të Kongresit qëkur Gerald Fordi e bëri këtë më 1983.
Komiteti i Mbikëqyrjes, i udhëhequr nga republikanët, ka miratuar masa për t’i dënuar Clintonët “për përbuzje” muajin e shkuar, bashkë me mbështetjen e disa demokratëve.

Të hënën, zëvendësshefi i stafit të Bill Clintonit, Angel Urena, ka postuar në “X” duke konfirmuar se çifti do të paraqitet para panelit.
“Ata negociuan në mirëbesim”, ka shkruar ai drejtuar këtij Komiteti. “Ju jo”.

“Ua thanë nën betim atë që e dinë, por kjo juve nuk iu intereson. Por ish-presidenti dhe ish-sekretarja e shtetit do të vijnë. Ata mezi presin të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”, ka shkruar Urena.

Të dy Clintonët thonë se më herët kishin dhënë deklarata nën betim dhe se kanë ofruar informatat që kishin për Epsteinin.

Çifti e ka cilësuar thirrjen si “asgjë më shumë se një dredhi për t’i turpëruar rivalët politikë, siç ka udhëzuar presidenti Trump”.

Bill Clintoni nuk është akuzuar kurrë për ndonjë shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Epsteinit dhe ka mohuar çfarëdo lidhje me veprat e tij. Megjithatë, ai u shfaq në disa dosje të Epsteinit, që u publikuan nga autoritetet amerikane.

Epstein, një milioner i njohur për lidhjet e tij me figura të shumta me ndikim dhe të famshme, u vetëvra në burg në vitin 2019 teksa priste padinë federale për trafikim qeniesh njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual.

MARKETING