Rama për vizitën në Izrael: Gur themeli për marrëdhëniet dypalëshe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në podkastin “Flasim” komentoi vizitën e tij së fundmi në Izrael, ku ishte i ftuar nderi në seancën plenare të parlamentit izraelit, Knesset.
Rama u shpreh se kjo ftesë përfaqësonte një vlerësim të madh për Shqipërinë dhe historinë e saj, veçanërisht për rolin e shqiptarëve në ndihmën ndaj hebrenjve.
Kreu i shtetit e cilësoi nder të rrallë ftesën si i ftuar nderi në seancën plenare të Parlamentit të Izraelit, Knesset, ndërsa vuri theksin se vizita e tij mbarte një peshë të jashtëzakonshme politike dhe historike, në këndvështrimin e ligjvënësve të atij vendi.
“Në Jeruzalem, ishte Shqipëria që u vendos në piedestalin e respektit dhe përtej emocionit të madh personal, akoma edhe më i fortë ishte një emocion kombëtar, sepse ajo ftesë ishte një vlerësim i madh për Shqipërinë, për historinë e saj dhe për mënyrën se si gjyshërit tanë ditën të sillen kur historia vuri në provë njerëzimin dhe për natyrisht atë që Shqipëria është sot në arenën ndërkombëtare”, tha Rama.
Sipas tij, fjalimi në Knesset, ishte “fjala e një populli në fakt, që nuk dorëzoi askënd dikur dhe që sot, nga zemra e Izraelit, mundi të flasë me qartësi për dinjitet njerëzor, për kujtesë paqeje dhe për përgjegjësi në një botë të trazuar, ku feja duhet të jetë melhem dhe jo helm mes popujve dhe në gjirin e popujve”.
Më tej, Rama njoftoi mbi krijimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, që e përkufizoi si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
“Në Izrael, ne hodhëm edhe një hap konkret drejt së ardhmes me themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët”, tha Rama.
Në përfundim, Rama e cilësoi vizitën si një gur themeli për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke e vlerësuar Izraelin për zhvillimin dhe ekspertizën në fusha kyç.
“Kjo vizitë në thellësine e vet kishte një përmbajtje të atillë që i shërben, jo vetëm arsyeve pse u bë, por i shërben edhe të nesërmes, si një gur themeli për të ecur së bashku si një rrugë, ku ka plot arsye të paktën për ne nga ana jonë që t’i referohemi Izraelit, si një vend me zhvillim të jashtëzakonshëm, si një vend me ekspertizë të jashtëzakonshme, si një vend me realitete të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë, në fushën e bujqësisë, në fushën e sigurisë padiskutim dhe për të gjitha këto arsye unë jam vërtet krenar për atë që u bë në javën që lamë pas”, tha Rama.

