Pakistan, 10 ushtarë dhe 109 militantë të vrarë në operacionet e forcave të sigurisë
Të paktën 10 ushtarë dhe 109 militantë janë vrarë në përplasje pasi forcat pakistaneze të sigurisë zmbrapsën sulme të mëdha “të koordinuara” në provincën jugperëndimore Balochistan.
Një zyrtar i lartë i sigurisë për Anadolu tha se militantët kryen sulme të koordinuara herët në mëngjes në 12 lokacione të ndryshme në të gjithë provincën Balochistan, përfshirë në kryeqendrën provinciale Quetta.
“Militantët shënjestruan disa pika, përfshirë instalime të forcave të sigurisë në Quetta, Noshki, Dalbandin, Pasni dhe Gwadar”, tha zyrtari.
Ai shtoi se forcat e armatosura të Pakistanit, Korpusi Kufitar dhe Policia e Balochistanit vepruan me shpejtësi për të penguar atë që e përshkroi si “plane dashakeqe” të militantëve.
Sipas zyrtarëve, 58 militantë u vranë gjatë operacioneve të sotme, ndërsa 51 të tjerë u vranë dje në operacione të tjera të sigurisë në të gjithë provincën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 109 gjatë 48 orëve të fundit.
Gjatë përplasjeve, 10 pjesëtarë të forcave të sigurisë gjithashtu humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën. Ushtria pakistaneze ende nuk është prononcuar lidhur me këtë çështje.
Dje, ushtria tha se të paktën 41 militantë u vranë në dy operacione të sigurisë në rrethet Harnai dhe Panjgur të Balochistanit.
Viteve të fundit, në Pakistan është rikthyer një rritje e dhunës militante, veçanërisht në rajonet perëndimore dhe jugperëndimore të vendit.

