Abdixhiku zyrtarisht ofron dorëheqjen e tij para Kuvendit të LDK-së

Abdixhiku zyrtarisht ofron dorëheqjen e tij para Kuvendit të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë gjatë mbledhjes së Kuvendit të kësaj partie.

Në fjalën e tij para delegatëve, Abdixhiku ka theksuar se ky hap vjen si obligim moral pas rezultatit zgjedhor dhe si formë e ballafaqimit me pritjet, zhgënjimin dhe të ardhmen e partisë.

“Me përgjegjësi të plotë morale e politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për të shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur si detyrim moral. S’e bëj këtë për të krijuar krizë. Prandaj, ju pyes çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi, me dinjitet dhe me plot besim”, tha ai gjatë fjalës para Kuvendit.

Abdixhiku tha se përgjegjësia i takon atij.

“Përgjegjësia ka emër, ka funksion, ka adresë dhe sot kjo adresë jam unë si prijës i kësaj partie. Unë i marr mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Plotësisht. Prijësi nuk është ai që del përpara veç kur gjërat nuk shkojnë mirë”.

Ai bëri thirrje për unitet brenda partisë dhe tha se LDK mund të ringritet

“Nuk mundemi pa njëri-tjetrin. Asnjë lider nuk e ngrit një parti vetëm. Asnjë strukturë nuk funksionon pa njerëz, asnjë e ardhme nuk ndërtohet mbi përçarje të brendshme. Unë besoj që kjo shtëpi e ka këtë kapacitet. Ringritja është fati ynë. Këtë rrugë e kemi bërë njëherë, nuk arritëm ta mbajmë gjatë, mund ta bëjmë sërish.

MARKETING