Prapaskenat në Venezuelë: Njeriu i hekurt i Maduros bashkëpunoi me SHBA-të për rrëzimin e tij

Prapaskenat në Venezuelë: Njeriu i hekurt i Maduros bashkëpunoi me SHBA-të për rrëzimin e tij

Detaje të reja po dalin në dritë dy javë pas ndërhyrjes historike të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, që çoi në kapjen e presidentit Nicolás Maduro. Sipas një investigimi të agjencisë së lajmeve Reuters, rezulton se Diosdado Cabello, ministri i Brendshëm dhe njeriu më i fuqishëm i sigurisë në regjimin e vjetër, kishte mbajtur kontakte sekrete me Uashingtonin muaj para operacionit.

Ky zbulim është tronditës, pasi Cabello jo vetëm që ishte krahu i djathtë i Maduros, por ai vetë është i akuzuar për narkotrafik në SHBA dhe mbi kokën e tij rëndon një shpërblim prej 25 milionë dollarësh. Duket se SHBA-të e përdorën atë si një “pykë” për të garantuar që ushtria dhe milicitë e armatosura të mos reagonin me dhunë gjatë ndërhyrjes amerikane. Zyrtarët e Uashingtonit e kishin paralajmëruar prerë Cabellon që të mbante nën kontroll aparatin e tij të sigurisë, i cili mbeti i paprekur edhe pas rënies së liderit.

Në këto biseda sekrete, që mendohet se kanë nisur që në javët e para të presidencës Trump, është diskutuar për akuzat penale ndaj tij dhe sanksionet personale. Ndonëse nuk është e qartë nëse atij i është premtuar një rol në qeverinë e ardhshme, roli i tij u konsiderua vendimtar për të shmangur një gjakderdhje në rrugët e Karakasit.

Kjo shpjegon edhe lëvizjen e papritur të kreut të forcave armatosure, i cili i premtoi besnikëri të menjëhershme presidentes së re të përkohshme, Delcy Rodríguez. Paradoksi është i madh: Rodríguez dhe Cabello, edhe pse kanë shërbyer në kupolën e regjimit socialist, kanë qenë rivalë të ashpër brenda lëvizjes.

Situata mbetet delikate për administratën amerikane, pasi njeriu që po garanton qetësinë gjatë tranzicionit demokratik është i njëjti person që për vite me radhë ishte arkitekti i shtypjes së përgjakshme të opozitës. Besueshmëria e Cabellos mbetet një pikëpyetje e madhe që shqetëson zyrtarët në Uashington. /Klantv

MARKETING