Moska: Perëndimi me dy standarde për Groenlandën
Moska e konsideron Groenlandën territor të Danimarkës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia, ashtu si pjesa tjetër e botës, po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth ishullit, të cilat, sipas tij, janë kontradiktore.
Peskov e quajti situatën të jashtëzakonshme nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka minimizuar rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare në këtë çështje.
Sipas Kremlinit, tensionet rreth Groenlandës nxjerrin në pah standardet e dyfishta të vendeve perëndimore, të cilat, sipas Moskës, pretendojnë epërsi, ndërsa akuzojnë Rusinë dhe Kinën se përbëjnë kërcënim për ishullin.
Nga ana tjetër, Moska ka shprehur gatishmëri ndërmjetësimi pas telefonatave të presidentit rus, Putin, me kryeministrin izraelit dhe presidentin iranian.
Në bisedën me Netanyahun, Kremlini tha se Putin paraqiti ide për stabilitetin në Lindjen e Mesme.
I pyetur se çfarë mbështetjeje mund t’i ofrojë Rusia Iranit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se “Rusia tashmë po ofron ndihmë jo vetëm për Iranin, por edhe për të gjithë rajonin, në uljen e tensioneve”.

