Kampi i refugjatëve “Al-Affad” në Sudan strehon mijëra persona të zhvendosur
Kampi i refugjatëve “Al-Affad”, i vendosur në qytetin Al Dabbah të Shtetit Verior në veri të Sudanit, u ofron strehim mijëra personave të zhvendosur nga rajonet Darfur dhe Kordofan, kryesisht nga El-Fasheri, kryeqendra e shtetit të Darfurit Verior, raporton Anadolu.
Civilët kanë qenë viktima më të mëdha në vendin afrikan, pas përplasjeve që nisën në prill të vitit 2023 midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (HDK).
Një strehë e ngritur vitin e kaluar në qytetin Al Dabbah të Shtetit Verior, pranë kufirit me Egjiptin, fillimisht për 180 persona, është shndërruar në strehë për mijëra njerëz.
– Numri i personave në kamp arrin në 22 mijë
Në kampin e refugjatëve “Al-Affad”, më shumë se 4 mijë familje sudaneze të zhvendosura, me një popullsi që arrin rreth 22 mijë persona, përpiqen të mbijetojnë në kushte ku edhe nevojat më bazë sigurohen me vështirësi.
Shumica e të zhvendosurve në kamp kanë ardhur nga qyteti El-Fasher, ku HDK ka kryer masakra të përgjakshme dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Edhe pse distanca mes qyteteve El-Fasher dhe Al Dabbah i kalon 1.000 kilometra, njerëzit arrijnë në kamp përmes rrugësh jashtëzakonisht të vështira.
Njëkohësisht, kampi strehon edhe civilë nga rajonet Kordofan dhe Darfur, ku ende vazhdojnë përplasjet, të cilët kanë lënë pas shtëpitë, kujtimet dhe të afërmit e tyre.
Në kamp, ku nevojat bazë mezi sigurohen, ende mungojnë shumë nevoja jetike, veçanërisht arsimimi për fëmijët.
– Përplasjet në Sudan
Sudani, që nga 15 prilli 2023, është përfshirë nga përplasje të ashpra midis ushtrisë dhe HDK-së.
Këto përplasje, që kanë shkaktuar një nga krizat humanitare më të rënda në botë, kanë sjellë vdekjen e dhjetëra mijëra sudanezëve dhe zhvendosjen e rreth 13 milionë personave.
Ndërsa HDK kontrollon qendrat e 5 nga 18 shtetet e vendit, ushtria sudaneze ruan dominimin në pjesën më të madhe të 13 shteteve të mbetura, përfshirë rajonet jugore, veriore, lindore dhe qendrore si dhe kryeqytetin Khartoum.
El-Fasheri, qyteti më i madh i rajonit të Darfurit në perëndim të vendit, pas përplasjeve të dhunshme në tetor 2025, ra në masë të madhe nën kontrollin e HDK-së.
Pamjet e shpërndara nga vetë anëtarë të HDK-së kanë treguar momentet kur, në qytetin nga i cili u larguan dhjetëra mijëra persona, civilët u zhvendosën me forcë dhe shumë persona të paarmatosur u vranë ose u torturuan.

