Shoferi i kamionit humbi jetën në një aksident të rëndë autostrade në Slloveni
Në një aksident trafiku që ndodhi të enjten në mëngjes në autostradën “Shtajerska” në Slloveni, ka humbur jetën drejtuesi i një kamioni të vogël, i cili mbeti i bllokuar brenda automjetit, njoftoi Drejtoria e Policisë së Mariborit, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve të para të policisë, në aksident u përfshinë një furgon dhe një automjet i rëndë, ndërsa pas përplasjes automjetet u përfshinë nga flakët.
Policia bëri të ditur se aksidenti ndodhi kur një cisternë me karburant u përmbys dhe rrëshqiti në anën e kundërt të rrugës, teksa po lëvizte në drejtim të Mariborit.
Në momentin kur cisterna rrëshqiti në korsinë e kundërt, drejtuesi i kamionit të vogël, së bashku me një pasagjer, po udhëtonte drejt Lubjanës. Drejtuesi mbeti i bllokuar në automjet dhe humbi jetën në vendngjarje.
Sipas komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve të Slovenska Bistricës, David Prelog, cisterna po transportonte mbi 30.000 litra naftë, ndërsa gjatë aksidentit ajo edhe shpërtheu.
Më herët ishte bërë e ditur se autostrada “Shtajerska” në Slloveni ishte mbyllur në të dy drejtimet mes nyjeve “Slovenske Konjice” dhe “Slovenska Bistrica Jug”, pas aksidentit të rëndë të trafikut.

