BDI: Ali Ahmeti do të merr pjesë në takimin e liderëve

BDI: Ali Ahmeti do të merr pjesë në takimin e liderëve

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton se sot, Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm. Siç njoftojnë nga BDI, në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet aktuale politike në vend, raportet dhe marrëdhëniet me partitë e tjera politike, si dhe mbi takimin e paralajmëruar të liderëve politikë.

“Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e cila kultivon vazhdimisht dialogun politik dhe angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve thelbësore politike dhe ekonomike të vendit. Në kuadër të kompetencave të tij statutore, Kryetari Ahmeti do të ketë në ekskluzivitetin e tij hapjen dhe trajtimin e temave që janë jetike dhe strategjike për vendin, që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”.

“Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u bën thirrje të gjitha partive politike në vend që janë të përafërta me vizionin e BDI-së, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, që t’i bashkëngjiten Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhen pjesë e formacionit tonë politik”.

“BDI mbetet e hapur për inkorporimin dhe absorbimin e gjithë potencialit intelektual dhe politik në vend, me qëllim avancimin e politikave dhe vizionit që janë në interes të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim”, thonë nga BDI.

MARKETING