Sveçla për djegien e një pjese të fabrikës në Gjakovë: Mbetet të përcaktohet shkaku i zjarrit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka thënë se gjatë ditëve të fundit, Kosova është ballafaquar me vërshime në disa komuna, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) është mobilizuar me kapacitetet e saj maksimale për ta tejkaluar këtë situatë sa më shpejt dhe sa më lehtë, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet një reagimi publik, Sveçla foli edhe për zjarrin që përfshiu një pjesë të fabrikës së dyshekëve në Gjakovë pasditen e së enjtes.
“Falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua. Tashmë mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale”, shkroi Sveçla.
Sipas ministrit, zjarrfikësit gjatë ditëve të fundit, përpos përballjes me vërshime u ballafaquan edhe me zjarre të përmasave të ndryshme sikurse ai në Gjakovë. Sveçla falënderoi të gjithë zinxhirin institucional dhe trupat që kontribuuan në ndihmë të të prekurve nga vërshimet dhe zjarret e fundit, në minimizimin e dëmeve nga këto fatkeqësi.
Fabrika e dyshekëve, një pjesë e së cilës u dogj tërësisht gjatë pasdites së të enjtes, konsiderohet si një nga fabrikat me më së shumti punëdhënës në Republikën e Kosovës. Autoritetet lokale në Gjakovë e konsideruan këtë jo vetëm humbje për kompaninë dhe qytetin e Gjakovës, por, për gjithë ekonominë e Kosovës.

