Përfundoi numërimi i votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, Vetëvendosje kryeson me 57 ulëse

Përfundoi numërimi i votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, Vetëvendosje kryeson me 57 ulëse

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave të zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, raporton Anadolu.

Pas procesimit të të gjitha votave, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 51.11 për qind të votave dhe për herë të parë një parti në Kosovë ka marrë 486.994 vota, duke siguruar 57 ulëse në Legjislaturën e Dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Partisë LVV dhe kandidatit për kryeministër, njëherësh kryeministrit aktual në detyrë, Albin Kurtit, me këtë rezultat, i mjafton bashkëpunimi me partitë e komuniteteve pakicë për të siguruar shumicën e mjaftueshme prej 61 deputetësh për krijimin e qeverisë së re.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë e dyta në zgjedhjet e 28 dhjetorit me 22 ulëse të siguruara. PDK mori 20.19 për qind të votave apo 192.407 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli e treta në këto zgjedhje me 13.23 për qind të votave apo 126.102 vota. LDK do t’i ketë 15 ulëse në Legjislaturën e Dhjetë të Kuvendit.

Në Kuvend gjashtë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.5 për qind apo 52.370 vota. Lista Serbe me 9 ulëse dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë me një ulëse përmbushin normën prej 10 ulëseve të rezervuara për komunitetin serb.

Sa i përket 10 ulëseve për komunitetet tjera joserbe, Partia Demokratike Turke e Kosovës ka siguruar dy ulëse, ndërsa partitë tjera: Vakat, Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Unioni Socialdemokrat (Socijaldemokratska Unija), Partia Liberale Egjiptiane, PSA, Partia e Vetme Gorane (Jedinstvena Goranska Partija) dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës nga një ulëse.

LVV ishte partia e vetme që shënoi rritje në Kuvend në raport me zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025 që nuk sollën qeveri të re. LVV siguroi më 9 shkurt 48 ulëse. Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja humbi dy ulëse në Kuvend ndërsa LDK-ja pesë ulëse.

Pas numërimit të këtyre votave, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se KQZ-ja është e gatshme t’i shpallë rezultatet përfundimtare, por sipas ligjit, palët mund të ankohen për administrimin e numërimit të votave në brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në këtë rast, PDK-ja është ankuar për një pjesë të votave me postë duke thënë se ato kanë ardhur pas afatit të ligjshëm.

Data e fundit deri tek hapi përfundimtar, ai i certifikimit të rezultatit nga KQZ-ja do të jetë më së largu 19 janari. Pas certifikimit të rezultateve i hapet rrugë formimit të Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Kosovës dhe më pas qeverisë së re.

MARKETING