Rusia: Sulmet e SHBA-së ndaj Venezuelës shkelin qartë ligjin ndërkombëtar
Rusia të shtunën tha se sulmet e raportuara ushtarake të ShBA-së ndaj Venezuelës “nuk kanë asnjë bazë reale” dhe shkelin ligjin ndërkombëtar.
“Pa dyshim, Venezuela nuk ka paraqitur asnjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara… Prandaj, operacioni aktual ushtarak, si dhe veprimet ndaj Venezuelës në ditët dhe javët e fundit, nuk kanë asnjë bazë reale,” shkroi në Telegram Zv/Kryetari i Këshillit të Federatës Konstantin Kosachev.
“Rendi duhet të bazohet në ligjin ndërkombëtar, jo në rregulla. Ligji ndërkombëtar është shkelur qartë. Rendi i vendosur në këtë mënyrë nuk duhet të mbizotërojë,” tha Kosachev, në reagimin e parë të një zyrtari të lartë rus për këtë incident.
Ai gjithashtu shprehu besimin se “shumica globale do të distancohet në mënyrë të vendosur nga sulmi ndaj Venezuelës dhe do ta dënojë atë.”
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, u tha mediave shtetërore, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve RIA, se Moska “shpejt” do të lëshojë një deklaratë mbi zhvillimet në Venezuelë.
Më herët, disa shpërthime të forta u dëgjuan në kryeqytetin e Venezuelës, ndërsa tensionet me SHBA-në po rriteshin. Venezuela akuzoi ShBA-në për kryerjen e sulmeve.
Duke cituar zyrtarë të ShBA-së, CBS News raportoi gjithashtu se Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar sulme ndaj vendeve brenda Venezuelës, përfshirë objektivat ushtarake.
Video që qarkullonin në rrjetet sociale tregonin tym të dendur që ngrihej nga disa lokacione në qytet, ndërsa dëgjoheshin edhe sirena ajrore.

