Kosovë, nis numërimi i votave nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kanë bërë të ditur nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media të premten tha se më 27 dhjetor 2025, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike.
“Nga 19.187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16.165 prej tyre apo 84.24 për qind dhe këto fletëvotime do t’i nënshtrohen numërimit. Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi fizik në përfaqësitë diplomatike, do të vazhdojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë vendit, ajo në Berlin (Gjermani) dhe në Bernë (Zvicër)”, ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se nga mbi 28.500 pako me fletëvotime të supozuara të tërhequra deri tani, janë aprovuar 27.600 dhe janë refuzuar mbi 950 për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja po vazhdon aktivitetet për shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, duke shtuar se presin që numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllet gjatë fundjavës.

