Egjipti akuzon Netanyahun për bllokimin e fazës së dytë të armëpushimit në Gaza

Egjipti akuzon Netanyahun për bllokimin e fazës së dytë të armëpushimit në Gaza

Egjipti ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se po punon për të penguar zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit në Gaza dhe se po kërkon të nxisë tensione rajonale, transmeton Anadolu.

Kreu i Shërbimit Shtetëror të Informacionit të Egjiptit, Diaa Rashwan, për kanalin shtetëror Al-Qahera tha se Netanyahu “me çdo mjet” po përpiqet të shmang kalimin në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, që hyri në fuqi më 10 tetor, duke ridrejtuar fokusin e SHBA-së drejt dosjeve të tjera rajonale, veçanërisht Iranit, Sirisë dhe Libanit.

Rashwan tha se kryeministri izraelit po përpiqet të nxisë tensione përtej Gazës duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tendosura SHBA-Iran, me shpresën për ta tërhequr Washingtonin në një përballje me Teheranin, gjë që do të mund të ringjallë luftimet në Gaza dhe të minojë fazën e dytë të marrëveshjes.

Ai tha se Netanyahu po manovron për të bllokuar fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën, por theksoi se ekziston një “veto e qartë amerikane” kundër rifillimit të luftimeve në Gaza. “Të gjithë treguesit konfirmojnë se administrata amerikane e ka përcaktuar qëndrimin e saj për nisjen e fazës së dytë në fillim të janarit”, tha Rashwan.

Ai shtoi se takimi i presidentit amerikan Donald Trump me Netanyahun më 29 dhjetor pritet të shënojë pikënisjen praktike të fazës së dytë.

Rashwan e përshkroi Trumpin si “një njeri pragmatik që dëshiron të përfundojë atë që e sheh si një zgjidhje historike”, duke shtuar se dokumenti i vetëm i politikës së jashtme këtë vit që mban emrin e Trumpit ishte plani i armëpushimit në Gaza, që sipas tij thekson rëndësinë qendrore të kësaj çështjeje për të.

Duke folur për pengesat e pritshme, Rashwan tha se Netanyahu po përpiqet ta rishkruajë fazën e dytë duke e kufizuar atë vetëm në çarmatimin e grupeve palestineze të rezistencës, një kusht që nuk përfshihet në marrëveshje dhe që SHBA-ja e kupton se nuk ekziston në tekst.

Ai tha se Izraeli po shtyn që t’i caktohen role jashtë mandatit një force të mundshme ndërkombëtare stabilizimi, siç është çarmatimi, një qasje që, sipas tij, vendet pjesëmarrëse do ta refuzonin.

Rashwan tha se përpjekjet e Netanyahut mund ta vonojnë ose ngadalësojnë zbatimin, por nuk do ta ndalin fazën e dytë, duke përmendur këmbënguljen e SHBA-së për të ecur përpara dhe njohurinë e plotë të SHBA-së për termat dhe kufijtë e marrëveshjes.

Lidhur me përpjekjet izraelite për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, Rashwan tha se kjo ide “prej kohësh ka qenë e pëlqyer nga segmente të elitës politike dhe shoqërisë izraelite, veçanërisht fraksionet më ekstreme dhe të djathta”.

Ai tha se Izraeli fillimisht llogariti në njohuritë e kufizuara të Trumpit për rajonin kur ai foli muaj më parë për zhvendosje dhe krijimin e një “Riviere”, por shtoi se pas konsultimeve, veçanërisht me vendet ndërmjetësuese të udhëhequra nga Egjipti, Trump i kuptoi pasojat e zhvendosjes.

Sipas tij, plani i Trumpit tani parashikon që askush të mos detyrohet të largohet nga Gaza dhe se kushdo që largohet vullnetarisht ruan të drejtën për t’u kthyer. Ndërkohë, e përditshmja izraelite “Israel Hayom” dje raportoi se takimi i pritshëm mes Netanyahut dhe Trumpit të hënën do të përmbyllet me një deklaratë mbi përparimin drejt fazës së dytë të armëpushimit në Gaza.

Gazeta tha se agjenda e takimit, që do të mbahet në Florida, do të fokusohet në dy çështje kryesore, përkatësisht në hapat drejt përfundimit të luftës në Gaza dhe dosjen e Iranit, e cila do të diskutohet me dyer të mbyllura.

Faza e parë e marrëveshjes përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Faza e dytë përfshin formimin e një komiteti të përkohshëm teknokrat për administrimin e Gazës, nisjen e përpjekjeve për rindërtim, krijimin e një këshilli paqeje, formimin e një force ndërkombëtare, tërheqje të mëtejshme të trupave izraelite nga territori si dhe çarmatimin e Hamasit.

Autoritetet e Gazës kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit pas luftës që ka vrarë më shumë se 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka shkatërruar enklavën.

MARKETING