MPB sekuestroi mbi 25 ton piroteknikë – u arrestuan dy persona, njëri prej të cilëve polic
Dy persona, njëri prej të cilëve është polic, u arrestuan pasi gjatë kontrollit të një kamioni “Peugeot Boxer” me targa të Strugës, të cilin po e drejtonin, u gjet një sasi e madhe piroteknike, për të cilën nuk kishin asnjë dokumentacion, raporton SHENJA.
U arrestuan N.R. (41) dhe një polic nga stacioni policor Bit Pazar – I.R. (41), të dy nga Shkupi. Ata u kapën me piroteknikë dje në mëngjes në orën 8:35 në pikën pagesore Gradsko. Zyrtarët e policisë që kryen kontrollin u informuan se piroteknika i përkiste një personi juridik nga Shkupi.
“Më vonë, gjatë marrjes së masave dhe aktiviteteve shtesë, një kamion tjetër i ngarkuar me piroteknikë u gjet para magazinës së personit juridik, e cila ishte lënë dhe braktisur”, njoftoi Ministria e Brendshme.
Ministria e Brendshme shtoi se sot, me urdhër gjykate, u krye bastisje në ambientet e magazinës së personit juridik, ku u gjetën dhe u sekuestruan mbi 25 ton piroteknikë. Pas kontrollit, Ministria e Brendshme informoi se do të ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, pas së cilës kundër tyre do të ngrihen kallëzime penale përkatëse.

