28 nëntori – Edhe Marco Rubio uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë
Sot Shqipëria shënon 113 vjetorin e pavarësisë.
Urime të shumta deri më tani nuk munguan nga liderë të shteteve mike, e padyshim, nuk kishte si të mungonte as urimi nga aleati më i madh ndonjëhere i shqiptarëve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar shqiptarët për 113-vjetorin e Pavarësisë duke vlerësuar lartë partneritetin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në urimin për 113-vjetorin e Pavarësisë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se Aleanca në NATO është themeli i mbrojtjes së ndërsjellë dhe mirëpriti investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë kolektive. Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike”, thuhet në urim.

