Rritet në 128 numri i viktimave nga zjarri në Hong Kong, qindra të tjerë të zhdukur
Numri i viktimave nga zjarri më i madh në Hong Kong në dekada është rritur në të paktën 128 ndërsa autoritetet thanë se kanë vënë nën kontroll flakët, të cilat përfshinë një kompleks banimi në qarkun Tai Po, transmeton Anadolu.
Sipas mediave lokale, një zjarrfikës ishte midis të vdekurve ndërsa 79 persona u plagosën, përfshirë 11 zjarrfikës. Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, megjithëse zjarret në të gjitha blloqet e kompleksit të apartamenteve Wang Fuk Court janë vënë nën kontroll.
Sekretari për Siguri, Chris Tang Ping-keung njoftoi se numri i të vdekurve ka tejkaluar 100, duke arritur tani në 128, si dhe paralajmëroi se ende mund të zbulohen trupa të tjerë.
Autoritetet kanë marrë 467 raportime për individë të zhdukur. Përveç kësaj, tha Tang, rreth 200 persona janë në situatë të pasigurt, përfshirë 80 trupa që nuk mund të identifikohen. Më herët, e përditshmja raportoi se 280 persona mbeten të zhdukur pas incidentet.
Zjarri shpërtheu rreth mesditës të së mërkurës në kompleksin, i cili përbëhet nga më shumë se 1.900 apartamente dhe u përhap me shpejtësi për shkak të skelave prej bambuje të instaluara në pjesën e jashtme për punime rinovimi.
Kompleksi përbëhet nga tetë kulla me një popullsi prej mbi 4 mijë banorësh. Policia ka ndaluar dy drejtorë dhe një konsulent inxhinierie nga “Prestige Construction & Engineering Company” me akuzat për vrasje të paqëllimshme.
Autoritetet thonë se skelat prej bambuje të ngritura për rinovime dhe materialet plastike me shkumë që mbulojnë dritaret “kontribuan” ndjeshëm në përhapjen e shpejtë të zjarrit. “Kemi arsye të besojmë se individët përgjegjës në kompani ishin neglizhentë të rëndë, gjë që shkaktoi përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe çoi në shumë viktima”, tha mbikëqyrësja e lartë, Eileen Chung Lai-yee.
Tang, sekretari i Sigurisë, tha se hetimet fillestare treguan se shpejtësia e përhapjes së zjarrit ishte e pazakonshme, duke treguar kryesisht për materialin izolues me shkumë.
“Ne zbuluam se materiali që mbulonte muret e ndërtesës, rrjeta rreth skelave dhe mushamaja e papërshkueshme nga uji shkaktuan përhapjen e flakëve shumë më shpejt sesa do të ndodhte me materialet që përmbushin standardet e sigurisë”, tha ai.
Për herë të parë në 17 vjet, Hong Kongu lëshoi alarm zjarri të nivelit 5, më i larti në shkallën pesë-shtresore të qytetit. Autoritetet raportuan se dy komplekse fqinje u evakuuan dhe rreth 900 banorë të prekur nga zjarri janë strehuar në tetë objekte të përkohshme.
Më shumë se 140 automjete zjarrfikëse dhe një personel emergjente me mbi 800 njerëz dhe zjarrfikës u dërguan në vendngjarje. Departamenti i Transportit njoftoi se rrugët në zonë u mbyllën për shkak të zjarrit.
Presidenti kinez, Xi Jinping i shprehu ngushëllime qeverisë së Hong Kongut për humbjen e jetëve dhe udhëzoi Zyrën e Çështjeve të Hong Kongot dhe Makaos në Pekin të mbështesë autoritetet lokale në reagimin e tyre.
Shefi ekzekutiv Lee shprehu pikëllim të thellë për numrin e lartë të vdekjeve dhe lëndimeve, duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Ai thirri mbledhje urgjente të kabinetit për të koordinuar reagimin ndaj katastrofës. Lee krijoi një fond prej 300 milionë dollarësh të Hong Kongut (38.5 milionë dollarë amerikanë) për të mbështetur banorët e prekur.

