Forcat izraelite ekzekutojnë dy palestinezë të dorëzuar me duart lart në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite ekzekutojnë dy palestinezë të dorëzuar me duart lart në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite kanë ekzekutuar dy palestinezë që ishin dorëzuar në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Incidenti është bërë i njohur edhe nëpërmjet pamjeve nga momenti e rrethimit dhe ekzekutimit të dy palestinezëve nga forcat izraelite në Jenin të Bregut Perëndimor.

Sipas videove të transmetuara nga televizioni egjiptian El-Gad TV, shihet se dy palestinezë dalin nga një shtëpi e rrethuar me duart lart dhe dorëzohen.

Në video, që thuhet se është regjistruar pranë Kampit të Refugjatëve në Jenin, në zonën Jebel Ebu Zahir, duket se forcat izraelite u kërkojnë të dy palestinezëve të kthehen brenda shtëpisë, një pjesë e së cilës është shembur me buldozerë.

Dy palestinezët me duart lart hedhin disa hapa drejt brendësisë së shtëpisë dhe më pas ushtarët izraelitë hapin zjarr mbi ta.

Në një deklaratë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, u bë e ditur se si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë, Muntasir Billah Mahmud Kasim Abdullah (26) dhe Yusuf Ali Yusuf Asaisa (37) kanë humbur jetën dhe trupat e tyre janë marrë nga forcat izraelite.

Ndërkohë, ushtria izraelite konfirmoi sulmin në një deklaratë me shkrim.

Në deklaratë pretendohet se personat në fjalë “kërkoheshin” dhe se ishin “të lidhur me grupe palestineze”.

Gjithashtu u pranua se pas rrethimit, dy palestinezët dolën nga ndërtesa dhe se forcat izraelite hapën zjarr ndaj tyre.

Ushtria tha se rasti është duke u hetuar.

MARKETING