Franca, Gjermania, Italia dhe Britania thirrje Izraelit të mbrojë palestinezët në Bregun Perëndimor

Franca, Gjermania, Italia dhe Britania thirrje Izraelit të mbrojë palestinezët në Bregun Perëndimor

Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar kërkuan sot nga Izraeli që të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi sulmet e kolonëve të paligjshëm izraelitë kanë arritur kulmin e tyre në pothuajse dy dekada, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët, katër vendet, të njohura kolektivisht si E4, “dënojnë fuqishëm rritjen masive të dhunës së kolonëve ndaj civilëve palestinezë dhe bëjnë thirrje për stabilitet në Bregun Perëndimor”.

Vendet thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” nga ajo që e përshkruan si rritje e sulmeve nga kolonët izraelitë, duke paralajmëruar se dhuna në rritje po e destabilizon Bregun Perëndimor dhe po e rrit rrezikun e tensioneve më të gjera rajonale.

Duke cituar të dhëna të OKB-së, deklarata vuri në dukje se në muajin tetor u regjistruan 264 sulme të kolonëve, numri më i lartë mujor që nga fillimi i monitorimit sistematik në vitin 2006.

E4-shi i bëri thirrje qeverisë izraelite që “të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar dhe të mbrojë popullsinë palestineze në territoret e pushtuara”, duke theksuar se autoritetet duhet të sigurojnë llogaridhënie.

“I bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit të kërkojë llogari nga ata që janë përgjegjës për këto krime dhe të parandalojë dhunën e mëtejshme duke adresuar shkaqet rrënjësore të kësaj sjelljeje”, thuhet në deklaratë.

Duke përsëritur pozicionet e tyre të qëndrueshme mbi konfliktin, katër qeveritë thanë se mbeten kundër “çdo forme të aneksimit – qoftë pjesor, total ose de fakto – dhe politikave të vendosjes së vendbanimeve kolone që shkelin ligjin ndërkombëtar”.

Ato gjithashtu ripohuan mbështetjen e tyre për një zgjidhje të negociuar dhe paqësore të konfliktit, duke thënë: “Ne riafirmojmë angazhimin tonë për një… zgjidhje me dy shtete… që jetojnë krah për krah në paqe, siguri dhe njohje të ndërsjellë”.

Vendet theksuan se sulmet e vazhdueshme duhet të ndalojnë.

“Këto sulme duhet të ndalen. Ato mbjellin terror mes civilëve, dëmtojnë përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe në fund të fundit dëmtojnë sigurinë e qëndrueshme të vetë shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

MARKETING