Qeveria e Kosovës merr vendim për ndarjen e buxhetit të RTK-së

Qeveria e Kosovës merr vendim për ndarjen e buxhetit të RTK-së

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime që prekin interesin e vendit dhe punëtorëve të sektorit publik, raporton Anadolu.

Anëtarët e kabinetit qeveritar votuan unanimisht për ndarjet buxhetore për pagat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Paraprakisht, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se mjetet po ndahen nga kategoria e kursimeve.

“Siç edhe e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë. Në këtë mbledhje mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Pra, kjo zgjidhje e sotshme, apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin për RTK-në”, ka thënë Kurti.

Punëtorët e RTK-së, kishin mbetur pa paga për shkak të mungesës së alokimit të buxhetit për ta, për shkak se deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës nuk ishin unanim në votimin e buxhetit të tyre.

– Kurti: Municionet e para nga fabrika në Gjakovë do të dalin në fund të 2026-s

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme gjithashtu ka miratuar kërkesën për shpronësim të pronave të paluajtshme për ndërtimin e zonës industriale në Gjakovë, e cila siç tha kryeministri në detyrë Kurti, i hapë rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së këtij lloji në Kosovë.

Kurti tha se kjo fabrikë do ta rrisë sigurinë, do ta forcojë ushtrinë dhe do të rrisë kapacitetet e mbrojtjes.

“Ndërtimi i kësaj fabrike do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para do të dalin në fund të vitit 2026. Do të shërbejë kjo zonë industriale edhe për investitorë të tjerë që jemi në kontakt për lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronë ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova'”, tha Kurti.

Ai ka deklaruar se e kanë katërfishuar buxhetin për mbrojtje dhe dyfishuar numrin e ushtarëve.

– Kombëtarja e futbollit do të shpërblehet me 1 milion euro në rast të kualifikimit për Botërorin 2026

Kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri të ditur se kanë ndarë 200 mijë euro për kombëtaren kosovare të futbollit për shkak të paraqitjes së mirë të tyre në fazën kualifikuese për Botërorin 2026.

Ai tha se në rast të fitores së parë në kuadër të “play off”-it, Kosova fiton ndaj Sllovakisë, kombëtarja do të shpërblehet me 500 mijë euro. Ndërsa, në rast të kualifikimit, pra pas fitores së dytë ndaj Turqisë ose Rumanisë, Kosova do të shpërblehet me 1 milion euro.

Të dyja këto ndeshje Kosova pritet t’i zhvillojë në mars, me Sllovakinë si mysafire, ndërsa në rast të fitores ndaj saj, do ta presë në Prishtinë fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani.

MARKETING