Rritet në 55 numri i viktimave nga zjarri në Hong Kong, të paktën 279 të zhdukur
Numri i të vdekurve nga zjarri që shpërtheu në një kompleks banimi me disa ndërtesa në qarkun Tai Po të Hong Kongut është rritur në 55 ndërsa të paktën 279 të tjerë mbeten të pagjetur deri më tani, raporton Anadolu.
Sipas zjarrfikësve, 55 persona, përfshirë një zjarrfikës, kanë humbur jetën deri më tani. Ndër 68 të dërguar në spital me lëndime, 16 janë në gjendje kritike, ndërsa 25 konsiderohen në gjendje të rëndë. Nga shtatë ndërtesat e përfshira nga flakët në kompleksin e banimit, i cili vlerësohet se strehon rreth 4 mijë banorë, tre janë vënë nën kontroll ndërsa zjarri në katër ndërtesa akoma vazhdon.
Gjithsej 279 persona akoma mbeten të zhdukur dhe ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë operacionet e shuarjes së zjarrit. Policia ka ndaluar tre persona, dy menaxherë dhe një inxhinier konsulent nga kompania e ndërtimit që kryen rinovimin, me akuzat për “vrasje të paqëllimshme”.
Autoritetet thonë se skelat prej bambuje të ngritura për rinovime dhe materialet plastike me shkumë që mbulojnë dritaret çuan në përhapjen e shpejtë të zjarrit. “Kemi arsye të besojmë se individët përgjegjës në kompani ishin neglizhent të rëndë, gjë që shkaktoi përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe çoi në shumë viktima”, tha shefja e mbikëqyrjes, Eileen Chung Lai-yee.
Sekretari i Sigurisë i Hong Kongut, Chris Tang tha se hetimet fillestare treguan se shpejtësia e përhapjes së zjarrit ishte e pazakonshme, duke treguar kryesisht për materialin izolues me shkumë. “Ne zbuluam se materiali që mbulonte muret e ndërtesës, rrjeta rreth skelës dhe mushama kundër ujit bënë që flakët të përhapeshin shumë më shpejt sesa do të ndodhte me materiale që i përmbushin standardet e sigurisë”, theksoi ai.
Për herë të parë pas 17 vitesh, Hong Kongu shpalli një alarm zjarri të nivelit 5, shkallën më të lartë në sistemin 5-shkallësh të qytetit. Autoritetet raportuan se dy komplekse fqinje gjithashtu u evakuuan dhe rreth 900 banorë të prekur nga zjarri kanë marrë strehim në tetë qendra të përkohshme.
Më shumë se 140 automjete zjarrfikëse si dhe mbi 800 punonjës emergjence e zjarrfikës u angazhuan në vendngjarje. Departamenti i Transportit njoftoi se rrugët në zonë janë mbyllur për shkak të zjarrit.
Presidenti kinez, Xi Jinping shprehu ngushëllime për qeverinë e Hong Kongut për humbjet e jetëve dhe i udhëzoi Zyrën për Çështjet e Hong Kongut dhe Makaos në Pekin të mbështesë autoritetet lokale në reagimin e tyre.
Shefi ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee Ka-chiu shprehu trishtim të thellë për numrin e lartë të viktimave dhe të plagosurve, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.
Ai thirri mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit për të koordinuar reagimin ndaj katastrofës.

