Zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë/ LVV cakton Albin Kurtin për kryeministër
Lëvizja Vetëvendosje e ka caktuar sërish kryetarin e saj, Albin Kurtin për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 61-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë ditën e sotme.
Glauk Konjufca, i cili e shpalli nominimin e Kurtit për kryeministër, e ka cilësuar atë si kryeministër më të suksesshëm dhe të më votuarin nga populli në historinë e demokracisë parlamentare.
“Jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e Vetëvendosjes, unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e transformimit social dhe demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të republikës, Albin Kurti”, ka thënë Konjufca.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka akuzuar partitë opozitare se duan ta bllokojnë shtetin vetëm për të dobësuar Albin Kurtin.
“Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte të ecim vetëm, por të ecim së bashku me partnerin tonë në një koalicion demokratik. U refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, prandaj ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës do ta bënin qeverinë. Ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë. LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin se çka duan ata me të vërtetë. Ata duan të bllokojnë gjithçka që më pas bllokimi i shtetit të duket si dobësim i LVV-së. Kjo është agjendë tejet e dëmshme dhe antishtetërore. Për këtë qëllim ata kanë treguar se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë. Ta sakrifikosh shtetin që Albin Kurti të dalë keq. Përmes kësaj maskarade po mendojnë se e rrisin mbështetjen në popull”, është shprehur ai.

