Kolaps në Prishtinë/ Pezullohet qarkullimi i të gjitha linjave të autobusëve

Kolaps në Prishtinë/ Pezullohet qarkullimi i të gjitha linjave të autobusëve

Nga sot, transporti publik në Prishtinë ka pezulluar tërësisht shërbimet, për shkak të problemeve të rënda financiare të shkaktuara nga bllokimi i mjeteve buxhetore. Ndërprerjen e operimit për këtë arsye e kanë njoftuar jo vetëm ndërmarrjet publike si Trafiku Urban, por edhe disa linja private, përfshirë 24 Yjet dhe Prishtina Shpk – Linja 7B.

Kompania Prishtina Shpk – Linja 7B ka sqaruar se pezullimi vjen si pasojë e moslëshimit të mjeteve nga niveli qendror, duke pamundësuar shlyerjen e obligimeve financiare nga Komuna e Prishtinës. Në njoftim theksohet se bllokimi financiar ka krijuar vështirësi të theksuara operative dhe ka penguar funksionimin normal të shërbimeve.

Credins Bank Apple Pay
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se qytetarët janë të rrezikuar dhe ka akuzuar qeverinë për bllokim politik të buxhetit të kryeqytetit. “Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë qytetarët të rrezikohen deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike,” tha Rama, duke shtuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati dhe është drejtuar edhe te kryeministri, presidentja dhe Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar duke deklaruar se buxheti për dhjetorin është alokuar të premten, por Komuna e Prishtinës nuk ka kryer pagesat për shërbime esenciale. Ai ka akuzuar udhëheqësinë e komunës për vonesa dhe propagandë politike gjatë fundjavës.

Trafiku Urban dhe linjat private kanë bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët dhe kanë njoftuar se shërbimet do të rifillojnë sapo të lëshohen mjetet financiare nga Ministria e Financave, të cilat do të mundësojnë shlyerjen e detyrimeve të komunës. Ndërprerja e sotme ka lënë mijëra qytetarë pa mundësi qarkullimi, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e përditshme.

MARKETING