Trumpi e nënshkruan në ligj publikimin e dosjeve “Epstein”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar të mërkurën se e ka nënshkruar ligjin që urdhëron publikimin e të gjitha dosjeve që lidhen me të ndjerin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Projektligji kërkon që Departamenti i Drejtësisë të publikojë të gjitha informacionet nga hetimi i tij për Epstein “në një format të kërkueshëm dhe të shkarkueshëm” brenda 30 ditëve.
Trumpi më parë ka kundërshtuar publikimin e dosjeve, por ai ka ndryshuar mendim javën e kaluar pasi u përball me kundërshtime nga viktimat e Epstein dhe anëtarët e Partisë së tij Republikane.
Me mbështetjen e tij, legjislacioni është miratuar me shumicë dërrmuese nga të dy dhomat e Kongresit, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të martën.
Në një postim në Truth Social të mërkurën, presidenti ka akuzuar demokratët se e mbështesin çështjen për të larguar vëmendjen nga arritjet e administratës së tij.
“Ndoshta e vërteta rreth këtyre demokratëve dhe lidhjeve të tyre me Jeffrey Epstein do të zbulohet së shpejti, sepse unë sapo kam nënshkruar projektligjin për të lëshuar dosjet e Epstein”, ka shkruar ai.
Edhe pse një votë kongresi nuk kërkohej për të publikuar dosjet – Trumpi mund ta kishte urdhëruar publikimin vetë, mirëpo ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve e miratuan legjislacionin me 427 vota pro. Senati dha pëlqimin unanim për ta miratuar atë menjëherë pas mbërritjes së tij, duke ia dërguar projektligjin Trumpit për nënshkrim.
Dosjet e Epstein që i nënshtrohen publikimit sipas legjislacionit janë dokumente nga hetimet penale ndaj financierit, duke përfshirë transkripte të intervistave me viktimat dhe dëshmitarët, dhe sende të sekuestruara nga bastisjet e pronave të tij. Këto materiale përfshijnë komunikime të brendshme të Departamentit të Drejtësisë, regjistra fluturimesh dhe njerëz e subjekte të lidhura me Epstein.
Dosjet janë të ndryshme nga më shumë se 20,000 faqet e dokumenteve nga pasuria e Epstein të publikuara nga Kongresi javën e kaluar, duke përfshirë disa që përmendin drejtpërdrejt Trumpin.
Ato përfshijnë mesazhe të vitit 2018 nga Epstein në të cilat ai ka thënë për Trumpin: “Unë jam ai që mund ta rrëzoj atë” dhe “Unë e di sa i ndyrë është Donaldi”
Trumpi ishte mik i Epsteinit për vite me radhë, por presidenti ka thënë se raportet mes tyre ishin përkeqësuar në fillim të viteve 2000, dy vjet para se Epstein të arrestohej për herë të parë. Trumpi ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje në lidhje me Epsteinin.

