Tre palestinezë të vrarë në sulmin e ri ajror izraelit në Gaza pavarësisht armëpushimit

Tre palestinezë të vrarë në sulmin e ri ajror izraelit në Gaza pavarësisht armëpushimit

Tre palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën sot herët në një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në pjesën jugore të Rripit të Gazës, në një shkelje tjetër të armëpushimit të 10 tetorit, tha Mbrojtja Civile e Gazës, transmeton Anadolu.

Mbrojtja Civile raportoi në një deklaratë se ekipet e saj nxorën trupat e tre personave dhe të paktën 15 të plagosur nga dy familje, pas një sulmi që kishte në shënjestër një shtëpi banimi në Bani Suheila, në lindje të Khan Younisit në jug të Gazës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të mërkurën, ushtria izraelite vrau 25 palestinezë dhe plagosi 77 në një sërë sulmesh të njëpasnjëshme në disa zona nga të cilat më parë ishte tërhequr, në atë që autoritetet palestineze e quajtën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Ministria nuk publikoi më shumë informacione për zonat e goditura ose identitetet e viktimave.

Ushtria izraelite pretendoi se sulmet ishin në përgjigje të të shtënave ndaj forcave të saj në Rafah, në jug të Gazës.

Të dhënat nga fraksionet palestineze, grupet e të drejtave të njeriut dhe institucionet qeveritare tregojnë se Izraeli ka kryer dhjetëra shkelje të armëpushimit që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes më 10 tetor.

Izraeli ka vrarë 280 palestinezë dhe plagosur 672 që nga 11 tetori, sipas një deklarate të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të publikuar të mërkurën.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë gati 70.000 njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, ka plagosur mbi 170.000 dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës duke e kthyer në rrënoja.

MARKETING