Izraeli nis sulme ajrore në jug të Libanit

Izraeli nis sulme ajrore në jug të Libanit

Avionët luftarakë izraelitë nisën sulme ndaj dy qytezave në qytetin Tyre në jug të Libanit, transmeton Anadolu.

Izraeli vazhdon sulmet e tij ndaj rajoneve jugore të Libanit, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 27 nëntor 2024. Sipas lajmeve në median libaneze, avionët luftarakë izraelitë shënjestruan qytezat Deir Kifa dhe Shehour, të dyja në qytetin jugor libanez të Tyre.

Autoritetet libaneze nuk kanë lëshuar ende deklaratë në lidhje me sulmin ose ndonjë viktimë. Sulmet e ushtrisë izraelite erdhën pas kërcënimeve për të goditur disa pika në dy qyteza të ndara në jug të Libanit.

Ushtria izraelite përmes një deklarate me shkrim konfirmoi sulmet e saj në jug të Libanit. Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se sulmet u kryen kundër “objektivave të Hezbollahut” në Libanin jugor.

Në sulmin ajror që ushtria izraelite kreu mbrëmë ndaj kampit të refugjatëve palestinezë “Ain al-Hilweh” në qytetin Sidon të Libanit humbën jetën 13 persona.

– Marrëveshja e armëpushimit

Izraeli nisi sulmet ndaj Libanit në tetor 2023, duke u përshkallëzuar në një luftë të plotë në shtator 2024. Më shumë se 4.000 njerëz u vranë dhe afërsisht 17.000 të tjerë u plagosën në luftime.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Libanit dhe Izraelit në nëntor 2024, thuhet se Izraeli e ka shkelur armëpushimin më shumë se 4.500 herë, duke rezultuar në vrasjen dhe plagosjen e qindra civilëve.

Izraeli vazhdon të mbajë nën pushtim pesë kodra që ka pushtuar në Liban dhe ruan një prani në disa zona që i ka mbajtur për dekada të tëra.

MARKETING