“Belgjika mund të nis hetime nëse shtetasit e saj kanë lidhje me “turistët snajperë” të Sarajevës”

“Belgjika mund të nis hetime nëse shtetasit e saj kanë lidhje me “turistët snajperë” të Sarajevës”

Sipas ish-gjyqtares ndërkombëtare Chris Van den Wyngaert, prokurorët belgë mund të hapin hetim nëse shtetasit belgë janë përfshirë apo jo në “turizmin e snajperëve” për të cilin pretendohet se është kryer gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990, raportoi sot “VRT News”, transmeton Anadolu.

Komentet vijnë pasi prokurorët në Milano të Italisë javën e kaluar nisën hetim mbi pretendimet se shtetas të pasur të huaj paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët në Sarajevë nga kodrat përreth gjatë luftës së Bosnjës dhe se forcat serbe të Bosnjës organizuan “safari njerëzore” për vizitorët e pasur në Sarajevë.

Hetimi në Itali vjen pas një ankese të paraqitur nga gazetari dhe autori Ezio Gavazzeni, i cili kishte hulumtuar incidentet e supozuara. Disa shtetas italianë dyshohet se udhëtuan në kryeqytetin boshnjak gjatë rrethimit të Sarajevës për t’u bashkuar me njësitë serbe të snajperëve dhe për të qëlluar civilët për “argëtim”, raportoi më parë media italiane. Sipas të përditshmes “La Repubblica”, burrat nuk ishin ushtarë, por “turistë lufte radikalë të ekstremit të djathtë”.

Duke folur për programin radiofonik De Ochtend, Van den Wyngaert e cila shërbeu vite me radhë si gjyqtare si në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN) ashtu edhe në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, tha se nuk kishte hasur kurrë prova për praktika të tilla gjatë mandatit të saj.

“Nuk e besoja, ishte kaq e pabesueshme. Kalova shtatë vjet në gjykatë dhe nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë deri më tani. Thashethemet kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, por ende nuk është gjetur asnjë provë”, shtoi ajo.

Van den Wyngaert theksoi se nëse belgët ishin të përfshirë në krimet e dyshuara, ata nuk mund të gjykoheshin nga GJPN-ja, pasi gjykata nuk ekzistonte ende në atë kohë. Megjithatë, prokurorët belgë mund të fillojnë hetime.

Ajo potencoi se për shkak se autorët e dyshuar ishin civilë, aktet nuk do të binin nën ligjet e luftës. “Nëse bëhet fjalë për vrasje, veprat penale mund të jenë të parashkruara, por ato mund të konsiderohen krime kundër njerëzimit dhe ato nuk skadojnë”, shpjegon ajo.

Gjatë rrethimit trevjeçar e gjysmë, në të cilin forcat serbe rrethuan dhe bombarduan Sarajevën, u vranë më shumë se 11.500 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë.

Gjatë luftës së Bosnjës, forcat serbe të mbështetura nga ushtria jugosllave dhe njësitë paramilitare, nisën fushatë spastrimi etnik kundër muslimanëve boshnjakë. Deri në fund të luftës, më shumë se 100 mijë njerëz u vranë dhe rreth 2 milionë të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

MARKETING