Osmani me kritika për BE-në: Aplikimi i Kosovës në vitin 2022 ndodhet në sirtarët e tyre, nuk është shqyrtuar

Osmani me kritika për BE-në: Aplikimi i Kosovës në vitin 2022 ndodhet në sirtarët e tyre, nuk është shqyrtuar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kritikuar Bashkimin Evropian lidhur me qasjen ndaj Kosovës, duke thënë se nuk e sheh progresin që është bërë, gjersa sipas saj, edhe aplikimi për anëtarësim i bërë në dhjetor të 2022 është ende në sirtar dhe nuk është shqyrtuar.

Osmani në një deklaratë për “Politico” theksoi se shteti i Kosovës nuk flirton me vendet tjera, që i quan si “trekëndëshi i së keqes”, Rusia, Kina e Irani.

Ajo tha se qytetarët e Kosovës nuk shohin rrugë tjetër përveç asaj të integrimit evropian.

“… nuk e ndiejmë që kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që ne jemi 100% të përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është parë ose vlerësuar, përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë”, tha Osmani.

Presidentja e shtetit theksoi tutje se 97% e njerëzve në Kosovë janë pro-evropianë, ndërkaq reformat në ekonomi, në drejtësi, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit kanë qenë fondamentalë.

“…Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar. Dhe duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka që duhet të vijë. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, është shprehur Osmani.

E para e shtetit ka folur edhe rreth mundësisë që Gjermania të shtyjë para procesin e integrimit të Kosovës.

Ajo tha se shpreson në një gjë të tillë, gjersa shtoi se Kosova nuk po kërkon bamirësi ose rrugë të shkurtër, por një shtyrje para të procesit bazuar në merita.

Osmani përmendi edhe faktin se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor 2022, ndërsa kjo ende nuk është shqyrtuar.

“Aplikimi ynë në vitin dhjetor 2022 ndodhet në sirtarët e tyre, as nuk është shqyrtuar…”, u shpreh ajo.

Osmani në këtë deklaratë për Politico potencoi po ashtu se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, e cila flet shumë gjuhë dhe konkurruese në IT.

MARKETING