Presidenti sirian Sharaa: Shumica e Kongresit amerikan mbështet heqjen e sanksioneve
Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa tha se “shumica” e Kongresit amerikan mbështet heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Sirisë, pasi u takua të hënën në Washington me ligjvënës amerikanë, transmeton Anadolu.
“Administrata amerikane është e një mendjeje se Siria meriton të ketë një mundësi për të qenë e qëndrueshme, për të ndërtuar ekonominë e saj dhe për të ruajtur integritetin territorial”, tha Sharaa për “The Washington Post” pas takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump.
Sharaa tha se politikat e Trumpit tregojnë mbështetje për stabilitetin dhe unitetin territorial të Sirisë.
“Është e qartë … se ai është në favor të stabilitetit të Sirisë dhe të unitetit territorial, si dhe të heqjes së plotë të sanksioneve ndaj Sirisë. Pra, ai po bën përpjekje në atë drejtim”, tha ai.
Komentet e tij vijnë pasi SHBA-ja pezulloi pjesërisht të hënën zbatimin e sanksioneve të Aktit Caesar ndaj Sirisë për 180 ditë, duke sinjalizuar një lehtësim të mëtejshëm të tyre. Sanksionet ishin pezulluar fillimisht në maj për 180 ditë.
Sharaa vizitoi Washingtonin ndërsa qeveria e tij kërkon heqjen përfundimtare të sanksioneve amerikane të vendosura gjatë regjimit të Bashar al-Asadit, i cili u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar pas 25 vjetësh në pushtet.
Për heqjen e plotë të sanksioneve kërkohet aprovimi i Kongresit.

