Presidenti sirian takohet në SHBA me ministrin e Jashtëm turk
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa u takua të hënën në SHBA me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, transmeton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga burime të Ministrisë së Jashtme turke, Fidan u takua me Al-Sharaan gjatë vizitës së tij në Washington. Nuk u dhanë informacione shtesë rreth takimit i cili u zhvillua me dyer të mbyllura.
Më parë, Al-Sharaa mbërriti në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në atë që shënoi vizitën e parë të një udhëheqësi sirian që kur vendi fitoi pavarësinë gati 80 vjet më parë.
Më vonë duke folur për mediat turke, përfshirë AA-në, Fidan tha se ishte ftuar të takohej me zyrtarë të shumtë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë homologun e tij Marco Rubio, të dërguarin Steve Witkoff dhe ambasadorin në Turqi, Tom Barrack.
“Sigurisht, prania ime në Shtëpinë e Bardhë sot përkoi me vizitën e presidentit sirian Ahmed al-Sharaa”, shtoi ai. Fidan tha se ndërsa Al-Sharaa po takohej me Trumpin dhe ekipin e tij, ai ishte ftuar t’u bashkohej atyre.
“Isha i pranishëm. Ne i përcollëm Trumpit përshëndetjet dhe urimet më të mira të presidentit tonë (Recep Tayyip Erdogan). Më pas patëm mundësinë të diskutonim pikëpamjet e përgjithshme të Turqisë mbi Sirinë, mundësitë për bashkëpunim me SHBA-në dhe shumë çështje të tjera që lidhen me zhvillimin, unitetin, solidaritetin, paqen dhe sigurinë rajonale të Sirisë”, tha Fidan.

