Pas zjarrit në Tuzlla: 15 pacientë në spital, katër në ventilim mekanik

Pas zjarrit në Tuzlla: 15 pacientë në spital, katër në ventilim mekanik

Pesëmbëdhjetë persona të plagosur në zjarrin që shpërtheu në shtëpinë e të moshuarve në Tuzlla të martën në mbrëmje u shtruan në spital në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës, raporton Anadolu.

“Shtatë pacientë janë shtruar në spital në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, katër prej të cilëve janë në ventilim mekanik”, njoftoi Qendra Klinike Universitare e Tuzllës.

Nga Qendra Klinike thanë se 5 pacientë, banorë të shtëpisë së të moshuarve në Tuzlla, janë shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Pulmonare.

“Të gjithë pacientët kanë parametra vitalë të qëndrueshëm”, konfirmuan ata, duke theksuar se dy pacientë janë hospitalizuar në Klinikën për Mjekësi të Brendshme dhe gjendja e tyre shëndetësore aktualisht është e qëndrueshme.

Një pacient i lënduar nga zjarri është shtruar në spital në Klinikën e Urologjisë dhe është në gjendje të qëndrueshme.

Stafi dhe të gjitha kapacitetet e disponueshme të Qendrës Klinike Universitare të Tuzllës janë ende në dispozicion për nevojat e akomodimit të personave të shtëpisë së të moshuarve në Tuzlla.

Të paktën 11 persona humbën jetën ndërsa 38 të tjerë u plagosën në zjarrin e madh që shpërtheu në katin e shtatë të shtëpisë së të moshuarve në Tuzlla rreth orës 20:45 mbrëmjen e së martës.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri shpërtheu në katin ku ishin të vendosur personat me aftësi të kufizuara, gjë që e bëri evakuimin dukshëm më të vështirë. Dëshmitarët në vendngjarje deklaruan se menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, u ndje tym i dendur dhe se në ndërtesë mbizotëroi paniku.

E enjtja u shpall ditë zie në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës dhe distriktin e Bërçkos. Qyteti i Tuzllës shpalli katër ditë zie duke filluar nga e enjtja.

Qeveria e Malit të Zi në një seancë telefonike të mërkurën vendosi të shpallë të enjten, 6 nëntor, ditë zie në vend.

Këshilli i Ministrave të BeH-së mbajti seancë telefonike të mërkurën, në të cilën nuk u vendos të shpallet ditë zie në të gjithë territorin e BeH-së sepse nuk kishte kuorum për votim.

MARKETING