Parlamenti i Spanjës miraton zyrtarisht embargon të armëve ndaj Izraelit

Parlamenti i Spanjës miratoi të mërkurën një dekret qeveritar që formalizon një embargo totale armësh ndaj Izraelit, pjesë e një pakete më të gjerë sanksionesh të shpallura muajin e kaluar në përgjigje të luftës izraelite në Gaza, transmeton Anadolu.
Spanja, një nga kritikët më të fortë të Izraelit në Bashkimin Evropian, thotë se dekreti ndalon eksportet dhe importet e të gjithë teknologjisë së mbrojtjes dhe përdorimit të dyfishtë drejt dhe nga Izraeli, ndalon anijet dhe avionët që transportojnë karburant ose materiale për përdorim të mundshëm ushtarak të hyjnë në portet dhe hapësirën ajrore spanjolle, tha qeveria spanjolle.
Vota kaloi me një diferencë të ngushtë pasi partia e ekstremit të majtë Podemos iu bashkua aleatëve të tjerë të krahut të majtë dhe rajonalë në mbështetjen e dekretit.
Udhëheqësja e Podemos, Ione Belarra, e cila kishte mbajtur qëndrimin e partisë së saj deri në orët e fundit, tha se qeveria duhet të shkojë më tej duke anuluar kontratat ekzistuese dhe duke prerë të gjitha lidhjet me Izraelin.
Ajo më parë e kishte përshkruar dekretin si një “embargo të rreme”, duke akuzuar qeverinë se po vazhdonte me kontratat e armëve dhe po lejonte “katër anije që transportonin pajisje ushtarake amerikane të destinuara për në Izrael” të ankoroheshin në portet spanjolle pavarësisht se dekreti hyri në fuqi muajin e kaluar.
Gjatë një debati parlamentar të martën, ministri i Ekonomisë i Spanjës, Carlos Cuerpo, e mbrojti embargon si “një hap të vendosur dhe pionier në nivel ndërkombëtar”.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, e mbrojti masën si “hapin e fundit në një proces të gjatë” që filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, duke thënë se Spanja “ndaloi shitjen e materialeve ushtarake Izraelit po atë ditë”.
Partia Popullore Konservatore (PP) dhe e djathta ekstreme “Vox” e kundërshtuan dekretin.
Votimi, fillimisht i planifikuar për të martën, u shty një ditë për të shmangur përkimin me përvjetorin e sulmit të Hamasit që vrau 1.200 persona. Ambasada e Izraelit në Madrid e kishte kritikuar caktimin e kohës së masës si akt “pervers dhe çnjerëzor”.
Embargoja është pjesë e një pakete sanksionesh të miratuar nga qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez në shtator, e cila përfshin gjithashtu një ndalim të importit të produkteve nga vendbanimet e paligjshme në territoret e pushtuara palestineze dhe rritje të ndihmës humanitare për Palestinën.