Sisi: Bisedimet për Gazën po përparojnë, ftoj Trumpin të marrë pjesë në nënshkrimin e mundshëm të marrëveshjes

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi tha sot se negociatat për armëpushim në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit në qytetin Sharm el-Sheikh të Detit të Kuq të Egjiptit po përparojnë, ndërsa ftoi homologun e tij amerikan Donald Trump, të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes në Egjipt nëse ajo arrihet, transmeton Anadolu.
Duke iu drejtuar një ceremonie diplomimi të policisë në Kajro, Sisi tha se bisedimet në Sharm el-Sheikh “po ecin pozitivisht”. “E ftoj presidentin e SHBA-së, Donald Trump të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit në Egjipt nëse ajo arrihet. Do të ishte e mrekullueshme t’ju kishim këtu”, shtoi ai.
Hamasi tha sot se shkëmbeu me Izraelin listat e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, ndërsa negociatat indirekte midis dy palëve për të arritur marrëveshje vazhdojnë.
Delegacione të nivelit të lartë i janë bashkuar negociatave, përfshirë të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff, dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner dhe kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman. Shefi i inteligjencës turke Ibrahim Kalin dhe ministri i Çështjeve Strategjike Izraelite, Ron Dermer, do të mbërrijnë për të marrë pjesë në bisedime.
Më 29 shtator, Trump zbuloi një propozim me 20 pika që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Rripin e Gazës. Ndërsa Hamasi u pajtua në parim me planin e Trumpit.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në një ofensivë brutale në Rripin e Gazës mbi 67 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet brutale e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.