Hamasi përshëndet qëndresën e palëkundur të popullit palestinez, pavarësisht 2 viteve gjenocid

Grupi palestinez i rezistencës Hamas përshëndeti “qëndresën legjendare” të popullit palestinez në Rripin e Gazës pas dy vitesh sulmesh gjenocidale dhe zhvendosjeje të detyruar nga Izraeli, transmeton Anadolu.
“Kanë kaluar dy vjet dhe populli ynë ende është i rrënjosur në tokën e tij, duke iu përmbajtur të drejtave të tij legjitime përballë planeve të shpronësimit dhe zhvendosjes së detyruar”, tha Hamasi në një deklaratë.
“Dy vjet qëndrueshmërie dhe qëndrese legjendare nga rezistenca e guximshme palestineze, kanë kaluar përmes një prej pushtimeve më të ashpra koloniale-vendbanimesh të njohura nga njerëzimi”, thuhet ndër të tjera.
Grupi tha se ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj brutale dhe gjenocidale kundër civilëve palestinezë “mes heshtjes dhe bashkëpunimit të turpshëm ndërkombëtar dhe dështimit të pashembullt arab”.
Hamasi përkujtoi udhëheqësit e saj të ndjerë, përfshirë shefin e byrosë politike, Ismail Haniyeh dhe pasardhësin e tij Yahya Sinwar, të cilët u vranë në sulmet izraelite.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në një ofensivë brutale në Gaza mbi 67.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet brutale e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.