Putin dhe Netanyahu diskutojnë mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu diskutuan mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë situatën në Gaza në kontekstin e propozimit të fundit për armëpushim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Kremlini të hënën në mbrëmje thuhet se Putini dhe Netanyahu diskutuan për çështjet përmes një bisede telefonike.
“Putini riafirmoi qëndrimin e palëkundur të Rusisë në favor të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse të çështjes palestineze bazuar në një kuadër ligjor ndërkombëtar të njohur”, thuhet në deklaratë ku vihet në dukje se të dy shkëmbyen pikëpamje edhe për çështjet tjera rajonale.
Sipas Kremlinit, Putini dhe Netanyahu shprehën veçanërisht interes në gjetjen e zgjidhjeve të negociuara për situatën rreth programit bërthamor të Iranit dhe stabilizimin e mëtejshëm në Siri.
Telefonata u zhvillua një ditë para përvjetorit të dytë të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, gjatë së cilës mbi 67.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, u vranë në enklavën që është bërë pothuajse e pabanueshme për shkak të bombardimeve brutale izraelite, duke çuar gjithashtu në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.
Delegacionet nga Izraeli dhe grupi palestinez Hamas filluan negociata indirekte në Sharm el-Sheikh të Egjiptit të hënën për të diskutuar planin 20-pikësh të Trumpit, i cili u njoftua më 29 shtator dhe kërkon lirimin e pengjeve izraelite brenda 72 orëve nga miratimi i Izraelit, një armëpushim dhe çarmatimin e Hamasit.
Të shtunën, Trump i bëri thirrje Izraelit të “ndalojë menjëherë bombardimin e Gazës” pasi Hamasi iu përgjigj pozitivisht planit të tij për armëpushim.