Macron i dha dy ditë kohë kryeministrit të dorëhequr që të shpëtojë Qeverinë

Presidenti Francez, Emmanuel Macron, i ka dhënë kryeministrit Sebastien Lecornu, dy ditë kohë që të shpëtojë ekzekutivin, pasi kryeministri dha dorëheqje më pak se një muaj pasi mori këtë detyrë, transmeton Euronews.
Më herët gjatë së hënës, Lecornu dha dorëheqje 14 orë pasi emëroi Qeverinë e tij dhe pritej që në mbasdite të mbante mbledhjen e parë të kabinetit.
Në vijim të kësaj, Macron mbajti bisedime me Lecornu në mbrëmje dhe i dha dy ditë kohë që të arrijë një plan për “stabilitetin” e shtetit, tha Zyra e Macronit.
Një zyrtar presidencial, tha se Macron i ka ngarkuar Lecornun “të zhvillojë negociatat përfundimtare deri të mërkurën në mbrëmje për të përcaktuar një platformë veprimi dhe stabiliteti për vendin”.
Ndërkohë, Lecornu shkroinë platformën X se “kam pranuar, me kërkesë të presidentit, të mbaj diskutimet përfundimtare me forcat politike për stabilitetin e vendit. Të mërkurën në mbrëmje do t’i komunikoj kreut të shtetit nëse kjo është e mundur apo jo, në mënyrë që ai të mund të nxjerrë të gjitha përfundimet e nevojshme”.
Emanuel Macron është “i gatshëm të marrë përgjegjësitë” në rast se diskutimet dështojnë, tha zyrtari presidencial, duke iu referuar mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Lecornus bëhet kryeministri që ka qëndruar më së paku në krye të ekzekutivit në Francë, pasi dha dorëheqje 27 ditë pas emërimit.
“Nuk janë përmbushur kushtet që unë të kryejë funksionin si kryeministër”, tha Lecornu mëngjesin e 6 tetorit, duke përmendur si arsye “oreksin partiak” të fraksioneve që, sipas tij, e kishin detyruar që të jepte dorëheqje.
Dorëheqja e Lecornut e thellon krizën politike që ka mbërthyer Francën për më shumë se një vit, pas zgjedhjeve të verës së vitit 2024, të thirrura nga presidenti Macron, të cilat përfunduan me një Parlament të bllokuar, shkruan The Gurdian.