Rritet në mbi 67 mijë numri i të vrarëve në Gaza nga gjenocidi izraelit

Të paktën 67.074 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se 66 trupa u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 265 persona u plagosën, duke e çuar numrin e të plagosurve në 169.430 si pasojë e sulmeve izraelite.
“Shumë viktima akoma janë të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t’i arrijnë ato”, theksoi ministria.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se gjashtë palestinezë u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit. Kjo e çon numrin total të palestinezëve të vrarë ndërsa kërkonin ndihmë në 2.603, me më shumë se 19.094 të tjerë të plagosur që nga 27 maji.
Ministria tha se dy fëmijë palestinezë vdiqën nga kequshqyerja dhe uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve nga uria që nga tetori i vitit 2023 në 459 persona, përfshirë 154 fëmijë.
Që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke i shtyrë 2,4 milionë banorët e territorit drejt urisë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.