Kryeministri bavarez propozon rrëzimin e dronëve pas mbylljes së Aeroportit të Mynihut

Kryeministri bavarez propozon rrëzimin e dronëve pas mbylljes së Aeroportit të Mynihut

Kryeministri i shtetit gjerman Bavaria, Markus Soeder, tha se policisë duhet t’i jepet autoriteti për të rrëzuar dronët e dyshuar, pasi këto mjete ajrore shkaktuan mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Mynihut duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar, transmeton Anadolu.

“Incidentet me dronë tregojnë presionin e madh me të cilin përballemi. Nga tani e tutje, politika jonë duhet të jetë ‘t’i rrëzojmë në vend që të presim’. Policia jonë duhet të jetë në gjendje t’i eliminojë menjëherë dronët”, tha Soeder për gazetën “Bild”.

Lideri rajonal konservator, që drejton Bavarinë në jug të Gjermanisë, bëri thirrje për masa më të gjera sigurie, duke kërkuar atë që e quajti një “Kupolë të hekurt për Gjermaninë” për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe instalimet ushtarake.

“Na nevojitet urgjentisht mbrojtje efektive për gjithë infrastrukturën dhe objektet tona ushtarake. Bavaria po propozon legjislacion të përshpejtuar. Do ta trajtojmë këtë në mbledhjen e kabinetit tonë të martën. Qeveria federale duhet të përshtasë shpejt ligjet e sigurisë ajrore”, tha ai.

Komentet erdhën pasi pamjet e dronëve mbrëmë detyruan autoritetet të ndalonin operacionet në Aeroportin e Mynihut, një nga nyjet më të ngarkuara të udhëtimeve në Gjermani.

Mbyllja, e cila filloi në orën 22:30 me orën lokale, bllokoi afërsisht 3 mijë pasagjerë, të cilët u detyruan ta kalonin natën në shtretër fushor ose ulëse. Zyrtarët raportuan se 17 fluturime nuk mundën të uleshin dhe 15 të tjera u devijuan në aeroporte alternative.

Pavarësisht vendosjes së ekipeve të specializuara në terren dhe helikopterëve të policisë, autoritetet bavareze nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë se kush i operoi dronët apo të përcaktojnë natyrën e tyre të saktë.

Pamje të ngjashme dronësh në Gjermaninë veriore javën e kaluar shkaktuan alarm, por hetuesit nuk arritën të identifikojnë përgjegjësit. Më herët këtë javë, qeveria federale njoftoi planet për të krijuar një qendër kombëtare të mbrojtjes nga dronët, për të koordinuar midis autoriteteve shtetërore dhe federale mbi kërcënimet nga dronët.

Ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt tha se qeveria së shpejti do të ndryshojë ligjet për të forcuar autoritetin ligjor të forcave të sigurisë për t’u përballur me dronët e paautorizuar.

MARKETING