Kosovë, Ozkan Ulutas rizgjidhet komandant i KFOR-it

Gjenerali i Forcave Turke, Ozkan Ulutas, është zgjedhur edhe për një mandat komandant i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), raporton Anadolu.
Në një ceremoni të mbajtur në Shtabin e KFOR-it, në Kampin “Film City”, në Prishtinë, komandanti në largim, gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, ia dorëzoi detyrën komandantit Ozkan Ulutas, i cili para një viti ja kishte dorëzuar komandën e ketij misioni pikërisht Barduanit.
Ceremonia u përcoll me pjesëmarrje të krerëve të institucioneve të larta në Kosovë, përfaqësuesve të institucioneve të mbrojtjes, ambasadorëve të vendeve të huaja, përfaqësuesve fetarë dhe përfaqësuesve të organizatave civile.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se për më shumë se dy dekada KFOR-i ka qëndruar si gurthemel i paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Ajo tha se historikisht por edhe tani, populli i Kosovës qëndroi pranë vlerave të lirisë, demokracisë dhe sigurisë kolektive.
“Prandaj, aspirata jonë që të bëhemi pjesë e NATO-s nuk është vetëm zgjedhje strategjike, është reflektim se kush jemi ne, në një kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shumëfishohen, Aleanca është më e fortë kur qëndron me partnerë që e kanë dëshmuar vërtet përkushtimin e tyre dhe Kosova e ka treguar kohë pas kohe, nëpërmjet qëndrueshmërisë sonë, reformat dhe vendosmërisë së njerëzve tanë”, tha Osmani.
Komandanti Ulutas pas marrjes së detyrës së tij në mënyrë solemne, falënderoi paraardhësin e tij për punën e bërë dhe tha se është i gatshëm që të punojë drejt konsolidimit të mëtejmë me autoritetet e Kosovës.
“Jemi të gatshëm dhe plotësisht të përkushtuar për të përmbushur misionin tonë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Do ta bëjmë këtë përmes aktiviteteve dhe përpjekjeve të ndryshme në terren, por edhe përmes mbështetjes tonë të fuqishme për dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, që është rruga drejt stabilitetit”, tha Ulutas.
Ai tha se llogaritë në vazhdimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre respektive të sigurisë.
Komandanti i 30-të i KFOR-it, Ulutas, shtoi se misioni “është i gatshëm të trajtojë çdo zhvillim të sigurisë” në Kosovë.
Të pranishmëve ju drejtua edhe komandanti në largim Barduani i cili tha se afër 26 vjet pas, Misioni i KFOR-it nuk ndryshoi, duke shërbyer në mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes në Kosovë.
Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it tha se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 1999, por shtoi se ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, për të cilat tha se zgjidhja është në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.
Ozkan Ulutas u bë për herë të parë komandant gjeneral i KFOR-it më 10 tetor 2023, pak ditë pas sulmit të armatosur në Banjska të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Ulutas do të jetë në krye të KFOR-it për periudhë njëvjeçare, deri në tetor të vitit 2026. Ky rotacion i rregullt i komandës pasqyron angazhimin e NATO-s për të mbajtur një prani të qëndrueshme dhe të balancuar në Kosovë, ku që nga viti 1999 trupat ndërkombëtare kanë për qëllim të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet.