Putin: Plani i Trumpit për Gazën mund të sjellë “dritë në fund të tunelit”

Presidenti rus Vladimir Putin tha se propozimet e presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftimeve në Rripin e Gazës sjellin shpresë për zgjidhjen e krizës së Lindjes së Mesme, raporton Anadolu.
“Tani po njihemi më shumë me iniciativat e presidentit Trump dhe më duket se mund të ketë dritë në fund të tunelit”, tha Putin në Klubin Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai.
Ai shtoi se diplomacia tradicionale perëndimore unilaterale, e cila “injoron historinë, traditat, identitetin dhe kulturën e popujve që jetojnë atje”, nuk do të sjellë paqe në rajon.
Putin sugjeroi që dorëzimi i kontrollit të Gazës presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas do të ishte opsioni më i preferuar.
Ai tha se propozimi i Trumpit për të liruar të gjithë pengjet e mbajtur në Gaza dhe për të siguruar lirimin e palestinezëve nga burgjet meriton mbështetje.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e të kuptuarit se si vetë palestinezët i shohin iniciativat e Trumpit për zgjidhjen e krizës.
Plani 20-pikësh i Trumpit përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, shpërbërjen e Hamasit, rrjedhën e ndihmës humanitare në Gaza dhe transferimin e kontrollit të enklavës te një administratë e përkohshme e udhëhequr nga teknokratë palestinezë dhe ekspertë ndërkombëtarë.